“Liria ka emër”/ Rama sjell dëshminë e Hamide Xhemajlit, luftëtares së orëve të para të UÇK-së

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ “Liria ka emër”, tha sot kryeministri Edi Rama, ndërsa solli në vëmendje dëshminë e  Hamide Xhemajlit, luftëtare e orëve të para që iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo është historia e Hamide Xhemajlit, luftëtare e orëve të para në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila në vitin 1996 vendosi të braktisë ëndrrat dhe t’i bashkohet vëllait, gati për të dhënë jetën për lirinë. Historia e saj është një nga mijëra e mijëra pjesët e historisë së përbashkët të krenarisë dhe dhimbjes së vajzave dhe djemve të Kosovës heroike”, shprehet Rama.

“Kam qenë 19 vjeç kur i jam bashkuar UÇK-së në vitin e 1996.  Në vitin 1995 duke pastruar dhomën, shikoj një pistoletë që ishte e fshehur, mbas raftit të librave. Kur e pashë u shtanga dhe duke e parë e shkrepa. Erdhi vëllai dhe mendoi se jam plagosur. Prej asaj kohe e kam pasur një kureshtje se çfarë po bën. Ai më tha se do vinte momenti kur do të tregoj se çfarë është e për çfarë është. Ai moment erdhi dhe ai vendosi të më tregojë dhe unë vendosa t’i bashkohem. Në fillim ai hezitoi, por pa këmbënguljen time dhe pranoi”, – rrëfen Xhemajli.

Kjo, vijoi ajo, ishte dashuria për atdheun, kisha dëshirë dhe vullnet për të bërë diçka për vendin tim dhe jam e lumur e krenare që kam bërë aq sa kam mundur.

“Pas ngjarjes në familjen Jashari vëllezërit dhe unë në 1998  vendosëm t’i bashkohemi UÇK. Më të vështirë e kisha kur u ndava me nënë Salë Jashari, se aty qëndrova shumë kohë. Më ka përcjellë deri tek dera e oborrit dhe më tha “çfarëdo që të ndodhë, ti duhet të jesh krenare, ta duash vendin tënd, të jesh e vendosur për vendin tënd dhe më ka dhënë vullnet. Ka qenë moment i vështirë kur ka ndërruar jetë se e kam dashur si nënën time, por edhe kur kam humbur edhe shoqen time të parë që kam pasur, Fatime Bazaj, e cila ndërroi jetë në fshatin Prekazë duke luftuar në datat  5-6-7 mars kur u rrethua lagjia Jashari, ku ishte edhe Nëna Salë, xhaxha Hamit, ata që kanë qenë aty kanë luftuar deri në momentin e fundit”, – thekson ajo.

Xhemajli shprehet se “kemi parë raste të rënda. Më kujtohet rasti kur një bashkëvendas i imi u plagos në fshatin Abri më 7 prill Bedri Demaku. Ai ka qenë në dorën time dhe nuk ka mundur të rezistojë plagëve të mëdha. Më kujtohet dora e tij, ma ka shtrënguar shumë deri sa ka dhënë shpirt”.

Më tej rrëfen ajo, “të shikosh bashkëvendasin tënd, shokun tënd, bashkëluftëtarin tënd, në ato momente të vështira dhe të mos i japësh dot ndihmë, ka qenë moment shumë i rëndë, por përderisa ka qenë luftë ne nuk  kemi menduar asgjë tjetë, vdekje ose liri”.

Xhemajli përmend edhe masakrën ndaj familjes Delijaj. “Imer Delijajt i ka ikur familja e gjithë dhe kur ka sjellë vajzën e vogël 6-muajsh, Diturie, ne e pyetëm ku është familja e na tha “kjo është ajo që më ka mbetur. I kishin masakruar familjen. Ka qenë mnoment i vështirë. Na ka dhënë guxim t’i dalim serbit para”, shprehet ajo.

“Nëse paraqitet nevoja prapë unë jam e gatshme, për të luftuar prapë dhe kontribuar me çdo gjë për vendin tim. Kemi luftuar për vendin, kemi mbrojtur vendin tonë, ne nuk kemi bërë krime, nuk kemi bërë masakrime. Ne kemi mbrojtur vendin tonë. Mesazhi im për të rinjtë është që ta duan vendin, duhet ta duan më shumë, të jenë më të bashkuar. Do i lutesha të rinjve që të dinë më shumë për UÇK-në”, – tha ajo.

“UÇK ka qenë ushtri e pastër,  që ka bërë shumë për vendin e vet dhe i lutem të rinjve të jenë mirënjohës për ata që kanë dhënë jetën dhe ushtarët e UÇK-së”, – tha Xhemajli./k.s/j.p/

 

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.