Jashtë sistemit të Drejtësisë për 15 vite/ KPA lë në fuqi vendimin për ish-gjyqtarin e Durrësit, Petraq Dhimitri

TIRANË, 23 nëntor /ATSH – I. Vata/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit lë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Petraq Dhimitri.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Petraq Dhimitri kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Petraq Dhimitri. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Më herët Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi që ish-gjyqtari i Apelit të Durrësit të qëndrojë jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vite duke shpallur humbjen e së drejtës së këtij subjekti për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.