Fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës/ Cakaj: Pasoja në përfaqësimin politik të shqiptarëve

TIRANË, 23 nëntor/ATSH – I. Vata/ “Fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës bën fjalë qartazi për një proces të spastrimit etnik, politik të institucionalizuar dhe të maskuar me një mbështjellës burokratik”, deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj i ftuar në një emision televiziv.

Cakaj foli edhe për reagimin ndaj këtij veprimi duke thënë se reagimi i fundit dallon nga reagimet e mëhershme, “sepse është një reagimi i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë në një deklaratë të përbashkët për procesin e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës por realisht ku proces ka filluar shumë më herët, por dhe referimet tona kanë qenë shumë të hershme”.

Ai shtoi së pak para se të nënshkruhej marrëveshja e bashkimit e spektrit politik në Luginën e Preshevës në Ministrinë e Jashtme në Tiranë, “ne kemi mbajtur një konferencë të veçantë për shtyp ku kemi folur për këtë çështje, por fatkeqësisht nuk ka marrë vëmendjen e duhur të medieve”.

“Ky është një proces që ka filluar nga viti 2011 e tutje, ndërkohë reagimet tona kanë qenë të vazhdueshme, së paku nga janari i vitit 2019 kur kam marrë detyrën, jam marrë vazhdimisht me këtë çështje. Por ka ardhur koha të ngremë zërin fort, sepse censi është vitin e ardhshëm dhe nëse do të formalizohet gjendja ekzistuese, atëherë kjo do të ketë pasoja politike për sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në Serbi”, tha ai.

“Thelbi është që në emër të verifikimit të adresave të të gjithë qytetarëve të Serbisë, ekipet e verifikimit kur shkojnë te adresat shqiptare, nëse nuk janë aty, në mënyrë automatike i shpallin që nuk jetojnë më në atë pjesë dhe pasivizohet adresa e tyre. Në momentin që pasivizohet adresa e tyre anulohet dhe e drejta e votimit dhe kjo pason pasoja politike për sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve atje”, tha ai.

Cakaj tha se bëhet fjalë për mijëra adresa. Në Medvegjë në vitin 2015 në zgjedhjet lokale është mbyllur kufiri mes Serbisë dhe Kosovës dhe për pasojë ka qenë e pamundur pjesëmarrja e një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, por që jetojnë në Kosovë dhe shqiptarët mbetën vetëm me 8 këshilltarë në bashkinë e Medvegjës dhe në zgjedhjet e vitit 2019 kanë mbetur me 3. Nëse vazhdon trendi i pasivizimit të adresave në këtë formë ne rrezikojmë që në censin e vitit të ardhshëm në Serbi të kemi më pak se 15 % shqiptarë në qytetin e Medvegjës, që do të thotë që në mënyrë të menjëhershme gjuha shqipe nuk do të jetë gjuhë zyrtare në atë qytet”.

Cakaj tha se për këtë problem ka patur konsulta me faktorë ndërkombëtarë dhe bëhet fjalë për një fshirje dhe një pasivizim krejtësisht arbitrar të adresave, për shkak se i njëjti standard nuk aplikohet për shtetasit serbë që jetojnë jashtë Serbisë, e jo më për ata që jetojnë brenda. Kështu këtu bëhet fjalë qartazi për një proces të spastrimit etnik, politik të institucionalizuar dhe të maskuar me një mbështjellës burokratik. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.