FOTOGALERI/ Shpërndahen tableta për nxënësit e klasave kolektive në Vorë

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, ka inspektuar disa shkolla të Vorës për masat antiCovid si dhe për të shpërndarë tableta dixhitale për nxënësit e klasave kolektive.

“Një vizitë e mirë sot në shkollën 9-vjeçare ‘Gjokaj’ të Vorës mbi masat antiCovid dhe procesin mësimor, ku ndër të tjera bashkë me kolegët Elisa Spiropali dhe Sadi Vorpsi shpërndamë tableta për nxënësit e klasave kolektive”, shprehet Kushi.

Ministrja ka vizituar edhe shkollë e mesme “Vajdin Lamaj” në fshatin Domje, një gjimnaz të cilin Kushi e konsideron model, për sa i përket ambienteve tërësisht të rikonstruktuara dhe sipas standardeve më të mira europiane.

“Jam e kënaqur që nxënësit dhe mësuesit nuk zhgënjejnë asnjëherë për sa u përket respektimit të masave antiCovid në institucionet shkollore. Prandaj, i falënderoj të gjithë me zemër për përkushtimin dhe rigorozitetin në këtë kohë të pazakontë që po kalojmë”, tha Kushi.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë vizitës në shkollën 9-vjeçare ‘Gjokaj’ theksoi se ndiqej një proces model jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në respektimin e masave antiCovid.

“Për ta lehtësuar akoma më tej mësimin, nxënësit u pajisën me tableta për të thelluar dijet në hapësirën e teknologjisë, e domosdoshme në këto kohë pandemie dhe jo vetëm”, tha Spiropali.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.