FOTO-Ripyllëzimi i zonave të mbrojtura/ Nis mbjellja e 7 000 fidanëve në Lurë

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Në Parkun Kombëtar Lurë, Mali i Dejës ka nisur mbjellja e 7 000 fidanëve, në kuadër të projektit të GIZ Albania për ripyllëzimin e zonave të mbrojtura të Bunë-Velipojës, Qafshtamës dhe Lurës kryesisht me pishë të zezë dhe dafinë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi bëri të ditur se në total janë 20 000 fidanë për t’u mbjell, si pjesë e projektit të ri-pyllëzimit të zonave të mbrojtura, teksa janë punësuar 80 persona.

“Në kuadër të projektit GIZ Albania në Parkun Kombëtar Lurë – Mali i Dejës”nisi mbjellja e 7 000 fidanëve pishë e zezë në një sipërfaqe të dëmtuar nga prerjet e paligjshme ndër vite.  Ky projekt konsiston në ripyllëzimin e zonave të mbrojtura të Bunë-Velipojës, Qafshtamës dhe Lurës kryesisht me pishë të zezë dhe dafinë. Nëpërmjet këtij projekti, synohet mbjellja e rreth 20.000 fidanëve për mbrojtjen e tokave nga erozioni, pasurimin, mbrojtjen e florës dhe biodiversitetit,- deklaroi Klosi.

“Rreth 80 persona janë punësuar për një periudhë 2 mujore për zbatimin e nismës, duke zbutur sadopak ndikimin e pandemisë në situatën social ekonomike të familjeve të zonave ku po realizohet ndërhyrja”,- tha Klosi. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.