Buxheti 2021/ 472 milionë lekë investime në argjinatura për mbrojtjen nga përmbytjet

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka parashikuar gjatë vitit 2021 investime të rëndësishme në sektorin e ujitjes dhe kullimit që kapin shifrën e mbi 472 milionë lekëve në argjinaturat e lumenjve për mbrojtjen nga përmbytjet.

Në buxhetin e vitit 2021 është parashikuar: Rikonstruksioni i Argjinaturës së Selevecit, Bashkia Vlorë, me vlerë të plotë rreth 192 milionë lekë dhe financuar në dy vite 2021-2022.

Ndërkohë që do të investohet në rehabilitimin e kanalit ujitës, krahu i djathtë i rezervuarit të Gjançit në Korçë, me vlerë të plotë rreth 90 milionë lekë, edhe ky i financuar në dy vite 2021-2022.

Ndërkohë që investime janë parashikuar të kryen edhe për mbrojtjen nga përmbytjet e lumit Drin në zonën e Bërdicës, fshati Rreth i Epërm, Shkodër me një vlerë prej 95 milionë lekë.

Ndërsa projekti për mbrojtjen nga lumi Fan është thuajse në përfundim me një vlerë të përafërt prej 86 milionë lekë.

MBZHR bën të ditur se, gjithashtu vazhdojnë financimet e objekteve vaditëse në 61 bashkitë e vendit, për të përmbyllur investimet e nisura në vitin 2020. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.