BE, grante të reja për zbatimin e ndërmarrjeve të tjera sociale/ Soreca: Lulëzojnë në të njëjtat vende ku krimi i organizuar bënte fitime

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Në Shqipëri falë mbështetjes së Bashkimit Europian dhe guximit të disa organizatave të shoqërisë civile, po punojnë me sukses tri ndërmarrje sociale të themeluara në pasuri të konfiskuara nga krimi i organizuar: Ke Buono në Fier, KinFolk Coffe Library në Durrës dhe Social Crafting Saranda në Sarandë.
Projekti i financuar nga BE “Cause” ka treguar që ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar funksionon edhe në Shqipëri.
Përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile, autoritetet shqiptare dhe trupat diplomatike diskutuan sot se si ta përhapin më tej këtë model në të mirë të komuniteteve lokale.
“Krenar të shoh që aktivitetet ligjore të drejtuara nga shoqëria civile dhe organizatat e të rinjve në Shqipëri po lulëzojnë në të njëjtat vende ku krimi i organizuar po bënte fitime”, – tha në fjalën e tij amabasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
Sipas tij, kjo dërgon një mesazh të qartë: mosndëshkimi mund të thyhet dhe komunitetet lokale mund të fuqizohen.
“Bashkimi Europian së shpejti do të publikojë një thirrje për propozime duke vënë në dispozicion grante të reja për zbatimin e shumë ndërmarrjeve të tjera sociale në shoqëri. Ne shpresojmë të shohim më shumë ndërmarrje sociale për të rivendosur drejtësinë dhe për të krijuar vlerë ekonomike, punësim dhe ndryshime pozitive sociale”, tha ambasadori Soreca.
/k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.