Alibeaj: Rruga Milot-Fier 1.2 miliard euro, një aferë që ka për të dështuar

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se, “rruga Milot-Fier, me çmimin stratosferik 1.2 miliard euro, ka vetëm një ofertues dhe kjo është është kompania greke Terna”.

“Në zyrat e qeverisë shqiptare këto ditë po përgatitet farsa e një tjetër koncesioni, i destinuar të dështojë”, tha ai.

“Ka shkuar pikë për pikë siç e kemi parashikuar ne, që në shkurt, akoma pa u hapur tenderi farsë. Belinda Balluku nuk iu përgjigj atëherë pyetjes se çfarë e lidh me kompaninë greke. As sot nuk është në gjendje të shpjegojë pse vetëm kompania greke mori pjesë në tenderin që ajo dhe Edi Rama e shpallën me bujë të madhe disa javë më parë”, theksoi Alibeaj.

Sipas tij, qeveria kërkon që çdo automjet që kalon në këtë rrugë, të paguajë të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje.

“Kostot e rrugës janë shumëfishuar për të rritur çmimin e kalimit të udhëtarëve. 17.4 euro për një udhëtim në një rrugë ku më shumë se gjysma është e ndërtuar me para publike, do të thotë vetëm nxitim për mbyllje pazari. Ky projekt korruptiv, që rëndon akoma më shumë xhepat e shqiptarëve nuk ka për të pasur sukses. Është një aferë që ka për të dështuar”, tha Alibeaj. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.