Aeroporti i Vlorës/ Balluku: Presim oferta nga konsorciume të rëndësishme

TIRANË, 23 nëntor/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se Shqipëria ka rihapur garën ndërkombëtare për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës, e cila do të presë oferta deri më 23 dhjetor.

Në një intervistë televizive ministrja Balluku tha se “deri në këtë datë, kompanitë duhet të dorëzojnë ofertat,  ndërsa fituesi do të shpallet në janar. Gara për aeroportin u shpall fillimisht në 19 dhjetor të vitit 2019, por u pezullua për shkak të pandemisë”.

Sipas saj, ndërtimi parashikohet të kryhet përmes një partneriteti publik-privat, me afat 35-vjeçar.

Ministrja Balluku u shpreh se “vonesat për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës janë shkaktuar nga tërmeti dhe pandemia dhe procesi u ngri për të mos humbur kohë. Nëse do të mbyllim këtë garë më 23 dhjetor me shpresën që të kemi konsorciume të rëndësishme, pasi aeroporti do të ketë dhe pjesën e operimit, shpallja e fituesit do të jetë më 25 janar”.

E pyetur se kur mund të nisë ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, ministrja Balluku tha se “kjo është një kontratë e rëndësishme koncesionare dhe flitet për një afat prej 35 vjet”.

“Duhet negociuar me detaje dhe ne do të jemi të kujdesshëm gjatë negocimit. Kontrata do të lidhet në fund të muajit mars mes ministrisë së Infrastrukturës dhe konsorciumit fitues”, – tha Balluku.

Duke folur për rëndësinë e këtij aeroporti, ministrja Balluku tha se “ky aeroport nuk do të jetë vetëm i Vlorës, por gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Ky është zhvillim i rëndësishëm infrastrukturor do të sjellë rritjen e ekonomisë në zonën e Vlorës, zonat përreth dhe gjithë vendit, është një nga kolonat bazë të strategjisë tonë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri”. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.