25 milionë euro për infrastrukturën portuale dhe markatove të peshkut 

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ 25 milionë euro është vlera e investimit në tre portet kryesore të peshkimit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe ngritjen e tregjeve të peshkimit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, në strategjinë e vitit 2021 me rëndësi është fillimi i projektit madhor për rindërtimin e 3 porteve të peshkimit në Durrës, Vlorë dhe Shëngjin me financim nga kredia italiane prej 25 milionë euro.

Do të vijojë gjithashtu mbështetja për ngritjen e infrastrukturës së merkatove të peshkut nëpër porte, ku është planifikuar përfundimi i ndërtimit dhe funksionimit të markatos së peshkut në Vlorë.

Projektet e reja synojnë transformimin tërësor të portit të peshkimit në Vlorë, ku vlera e projektit arrin në 14.5 milionë euro, 4.5 milionë euro do të investohen në portin e Shëngjinit dhe për portin e Durrësit i cili do të ketë një zgjerim të mëtejshëm me qëllim që të përballojë nevojat në rritje të flotës së peshkimit do të investohen 4.5 milionë euro.

Konsumi vjetor në vendin tonë arrin në 12 mijë tonë peshk, ndërsa flota e peshkimit numëron mbi 500 anije që përfitojnë naftë pa akcizë, që ndihmon peshkimin të ketë rritje nga viti në vit. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.