200 të rinj të punësuar në Lufthansa Industry Solutions/ Rama: Kompania synon dyfishimin e punonjësve dhe zgjerimin e investimeve në Shqipëri

TIRANË, 23 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në mjediset e Lufthansa Industry Solutions, në Air Albania Stadium, ku mbi 200 vajza e djem shqiptarë, profesionistë në informatikë, punojnë për kompaninë ajrore gjermane të flamurit në mbarë botën dhe me cilësinë e punës së tyre po kthehen në adresë edhe për të tjera kompani të mëdha gjermane.
“Përgëzime e respekt për këta të rinj e të reja që nderojnë veten, prindërit dhe Shqipërinë, me talentin e me punën e tyre mbresëlënëse, falë së cilës kompania ka krijuar bindjen për dyfishimin e numrit të punonjësve nga Shqipëria në Shqipëri, si edhe për zgjerimin e portofolit të investimeve në vendin tonë”, tha Rama.

Më vjen shumë mirë, vijoi Kryeministri, që sot pavarësisht se në distancë, takohemi përsëri pas një rasti që e kemi pasur për t’u takuar kur ky projekt ishte ende në fillimet e veta. “Është jashtëzakonisht mbresëlënëse kjo që shihet këtu, realizimi i kësaj faze të parë të këtij projekti me kaq shumë vajza dhe djem të rinj nga Shqipëria, që pa pasur nevojë të lëvizin nga shtëpia e tyre punojnë në këtë mjedis, njësoj si të ishin kudo qoftë në Gjermani dhe ofrojnë shërbimin e tyre me një cilësi që konsiderohet nga Lufthansa, që është një nga kompanitë më prestigjioze gjermane, një cilësi e nivelit më të lartë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është vërtetë prekëse që zhvillimi njerëzor dhe profesional i këtyre të rinjve shqiptarë ndodh në zemër të Tiranës, falë këtij investimi fantastik të angazhimit të Lufthansës në Shqipëri dhe falë këtij ndërveprimi shumë të dobishëm, jo vetëm në aspektin e mirëfunksionimit dhe zhvillimit të kompanisë, por edhe rritjes profesionale të gjithë të rinjve”.

“Numrat e të rinjve janë mbresëlënëse, është stimuluese të dëgjosh që kjo është faza e parë ndërkohë për shkak të koronës keni qenë të detyruar ta mbani pezull kalimin dhe në katin e sipërm ku me sa kuptova do të ketë vend për dyfishimin e numrit të punonjësve. Kjo është fantastike. Në këtë kat, në çdo cep mund të ndiesh të njëjtën ngrohtësi, në një mjedis pune që gjen kur hyn në kompanitë prestigjioze gjermane. Natyrisht që ju nuk keni ardhur këtu të bëni bamirësi por të fitoni, se jeni komani që punon për të fituar”, tha Rama.

Ai shprehu falënderimet për faktin se “jo vetëm e zgjodhët Shqipërinë dhe jo vetëm besoni te Shqipëria si një vend ku zhvillohen investimet më prestigjioze gjermane, por edhe konfirmoni se keni bërë zgjedhjen e duhur”.

“Uroj dhe shpresoj që ndërkohë të jeni ambasadorët e Shqipërisë në mjediset e biznesit gjerman ku shumëkush që e paragjykon Shqipërinë për shkak se nuk njeh, apo e njeh përmes stereotipit të krijuar për 1 mijë e një arsye, se realiteti i Shqipërisë për investime është optimal për kompanitë gjermane. E kam përsëritur dhe besoj shumë se ardhja e kompanive gjermane në Shqipëri nuk është një çështje vetëm ekonomike, rritje e investimeve të huaja direkte në Shqipëri”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se është edhe një çështje kulture që lidhet me sjelljen në Shqipëri të një kulture të lartë pune, kulture të veçantë harmonie dhe disipline përmes harmonisë në punë që ushqen padiskutim çdo njërin që përfshihet në një aktivitet që vjen përmes investimeve gjermane, që të rritet profesionalisht dhe nga pikëpamja njerëzore si një lojtar skuadre. “Gjermania i ka pas yjet e veta në futboll, por ka pas gjithmonë suksesin e skuadrës dhe ka ditur që yjet t’i vërë në shërbim të skuadrës dhe skuadrën ta ketë yllin e vetë më të shkëlqyer”, tha Rama.

Kjo, tha ai, është shumë domethënëse në kulturën e punës të biznesit gjerman. “Kjo i bën të rinjtë në Shqipëri të ndjehen të privilegjuar, të motivuar, pjesë e një historie suksesi. Jeni të mirëseardhur në Shqipëri, siç po e shihni dhe vetë nuk i kam harruar bisedat që kemi bërë bashkë që kemi folur edhe për hapa të tjerë të zhvillimit që vijnë më pas. Të gjitha gjërat bëhen me radhë. Aty ju jeni më të mirët në botë, ndaj nuk ngatërroheni me këmbët tuaja. Duke parë këtë investim jam i motivuar dhe i stimuluar të mendoj për hapat e tjerë për të pasur më tepër hapësirë edhe për degë të tjera të aktivitetit të Lufthansës”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.