TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Në mbi 450 pallate në Durrës po vijon me intensitet puna për meremetimin e ambienteve të përbashkëta nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit të vitit që lamë pas.
Ecurinë e këtij procesi e ndoqi nga afër edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Riparimi i ambienteve të përbashkëta përfshin pallatet të dëmtuara me shkallë dëmi DS1-DS2-DS3.
“Puna vazhdon me intensitet në 458 pallate të 7 loteve të para dhe së shpejti fillojnë edhe dy lotet e tjera. Riparimi i banesave nga familjet që kanë përfituar nga granti për rikonstruksion si dhe riparimi i ambienteve të përbashkëta të pallateve nga ana e shtetit, bëjnë të mundur kthimin në normalitet të mijëra familjeve që janë dëmtuar nga tërmeti i vitit të kaluar”, tha Sako./a.gjonaj/