TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Rilindja urbane dhe rurale është një dëshmi se si biznesi vendas rigjallërohet dhe cilësia e jetës ndryshon përmes ndërhyrjeve të duhura infrastrukturë.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se janë 39.6 miliardë lekë të investuara përgjatë periudhës 2014-2020 për shndërrimin e qendrave urbane dhe rurale.
Po ashtu, Denaj bëri të ditur se edhe 10.4 miliardë lekë të tjera do të investohen për projekte të reja në 3 vitet e ardhshme.
Në vitin 2014 Qeveria nisi programin e madh kombëtar për transformimin urban të qyteteve të vendit. Përmes këtij program i cili përfhsiu të gjitha qytetet e vendit u krijua një identitet i ri dhe model i ri në jetën shoqërore dhe komunitare.
Pas tij, qeveria nisi edhe zbatimin e programit “Rilindja rurale”, një program i integruar i zhvillimit të qendrave të banuara, zonave me interes turistik, apo i zonave rurale në të cilat investohet për përmirësimin e infrastrukturës, vlerësimin e traditave dhe trashëgimisë kulturore, rritjen e nivelit të shërbimeve publike, përmirësimin estetik të qendrave të banuara, duke u dhënë mundësi zonave të caktuara rurale të kenë një trend pozitiv zhvillimi ekonomik, të diversifikuar dhe të qëndrueshëm, duke krijuar njëherazi edhe premisat për zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit.