Ndahet nga jeta Muharrem Fejzo, regjisori që jetësoi “Kapedanin”

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/- Regjisori Muharrem Fejzo është ndarë sot nga jeta në moshën 87-vjeçare si pasojë e COVID-19.

Lajmin për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur e ka bërë të ditur djali i tij, Joe Fejzo.

“Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e s’të dhashë dot një got ujë, nuk meritoje një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh se “’Kapedani’ i filmit shqiptar u shua sot”.

“Muharrem Fejzo, regjisori, skenaristi, piktori na la pas një pasuri të jashtëzakonshme, që do t’u flasë brezave. Lamtumirë mjeshtër”, shprehet ministrja.

Komisioni i Artit dhe Trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe komunitetit artistik të vendit për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur,  Muharrem Fejzo.

Ka xhiruar 14 filma artistikë, ndër regjisorët më prodhimtarë. Filmi i tij i parë si regjisor është “Montatorja” (1970). Në vitin 1972 së bashku me Fehmi Hoshafin xhiruan kinokomedinë e parë shqiptare “Kapedani”, që hodhi themelet e kësaj gjinie dhe mbetet një nga filmat më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare.

Referuar mendimit të specializuar të fushës, Muharrem Fejzo shquhet në kinematografinë shqiptare për kompozimin figurativ të kuadrit, sensin e hollë letrar, krijimin e portreteve historike legjendare, për praninë e fortë të konvencioneve piktorike, për mizanskenën me bartje tropologjike ku hasen edhe mbivendosje simbolike, për rakurset e shumta dhe përpunimin e kujdesshëm të skenave masive.

Sipas skenaristes Natasha Lako: Muharrem Fejzo i takon atij brezi  që u krijua plotësisht nga vetja, dhe nga puna e tij plot pasion.Sepse fati dhe rrethanat sillnin kineastë,qe do t’i pranonte ose mposhtte ekrani.

Muharrem Fejzo ja doli të shënonte emrin e tij të nderuar në kinemanë shqiptare, përmes veprës dhe trashëgimisë kinematografike që la pas.

Aktori dhe regjisori i njohur, Mevlan Shanaj shprehet se “Muharrem Fejzo, iku! Sot i ka ikur ekranit shqiptar një burrë i pashëm mendje hapur! Sa mirë ishte këtë verë. Punonte ende në pikturë. Gjatë gushtit me tha dua të kesh dhuratë kompozim portretin tënd . Ditë COVDI o Leme, e shtyjmë për më vonë.  Emër i pasur me vepra! Regjisor i filmave: Mësonjtorja, Operacioni Zjarri, Një emër mes njerëzve, Muri i gjallë, Guna përmbi tela, Fije që priten , Kapedani ( bashkëautor)e tj. Skulptor, piktor! Njeri i ditur, mik i pastër, sqimatar! Iku një njeri që mbillte fisnikëri, buzëqeshja ishte pronë e tij! Lamtumire Leme, kur të kam njohur luaje në kitarë. I veshur bukur! Ashtu ke mbetur për mua! Mik i miqësisë së qeshur”.

Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Mbaroi studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.

Fejzo mbante titullin “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.