Balla në Elbasan/ Investimet që po e shndërrojnë lagjen “Skënderbej” në një zonë të mirëfilltë tregtare


TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Lagjia “Skënderbej” ose siç njihet ndryshe Fushë Mbret, është një prej lagjeve më të mëdha të Elbasanit dhe përmes një investimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit nis investimi në arterien kryesore të kësaj zone prej 1.7 km, për ta shndërruar rrugën “Iljaz Kosova” në një zonë të mirëfilltë tregtare.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi sot takime me disa nga bizneset e kësaj lagjje ku i njohu ata me nismën e qeverisë për zerimin e tatimfitimit për biznesin e vogël dhe përjashtimin nga TVSH-ja duke nisur nga 1 janari i vitit 2021.

“Diskutuam me tregëtarët dhe banorët e zonës mbi situatën e përballjes me pandeminë dhe nevojën e respektimit të masave mbrojtëse kundër COVID. Në buxhetin e shtetit 2021 miratuam mbështetjen më të madhe me një shtesë prej 25 milionë dollarësh për pagesën papunësisë, për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia për shtresat në nevojë. Shumë mirënjohje nga tregtarët për paketat ndihmëse, që Qeveria ka dhënë për biznesin gjatë pandemisë, tashmë kemi miratuar edhe lehtësi fiskale për sipërmarrjen”, u shpreh Balla.

Një nga përfaqësueset e biznesit në këtë zonë thotë se ka qenë një gabim i madh që kishte punuar për vite me radhë në Greqi, pasi këtu ndjehej më mirë.

“Ka qenë një gabim i madh që kam punuar për aq shumë vite duke punuar për grekun. Më mirë në Shqipëri”, shprehet ajo.

Sipas tij, nisma fiskale që hyn në fuqi më 1 janar 2021 për zerimin e tatimfitimit për bizneset deri në 14 milionë lekë, dhe e TVSH për çdo biznes deri në 10 milionë lekë, është një çlirim për sipërmarrjen.

“Biznesi i vogël në Elbasan dhe gjithë Shqipërinë është çliruar plotësisht nga tatim fitimi dhe TVSH-ja, duke i dhënë një frymëmarrje të re aktivitetit të tyre të përditshëm. Edhe pse ishte një vit mjaft i vështirë, jo vetëm për biznesin dhe të punësuarit, për gjithë Shqipërinë, kemi arritur përmes masave lehtësuese të zbusim efektet e kësaj krize, që ka mbërthyer gjithë globin”, deklaroi Balla.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.