KOMENT – Marrëveshja e Dejtonit, 25 vite paqe në Bosnje-Hercegovinë

UASHINGTON, 21 nëntor /ATSH/ – Njëzet e pesë vjet më parë, negociatorët amerikanë kontribuan në arritjen e një marrëveshjeje historike paqeje që i dha fund tre viteve e gjysmë luftë në Bosnje-Hercegovinë, sipas share.america.gov.

Marrëveshjet e Dejtonit u arrit pranë Dejtonit, në Ohajo, më 21 nëntor 1995 mes Serbisë, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Kjo marrëveshje vendosi mbrojtje për minoritetet dhe hodhi bazat për rikthimin e vullnetshëm të refugjatëve dhe personave të zhvendosur.

Lufta që shpërtheu pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, shkaktoi më shumë se 100 000 të vdekur dhe zhvendosjen e miliona personave.

”Marrëveshja e paqes e Dejtonit përbën një prej sukseseve më të mëdha të diplomacisë amerikane dhe parimet e këtyre marrëveshjeve vazhdojnë të na ndjekin”, deklaroi Madeleine Albright në vitin 1997, në atë kohë sekretarja amerikane e Shtetit, 17 muaj pas nënshkrimit të saj.

Ishte paraardhësi i saj, Warren Christopher, i cili kryesoi konferencën e paqes në Dejton, ku morën pjesë drejtuesit europianë dhe rusë.

Diplomati amerikan, Richard Holbrooke drejtoi negociatat.

Marrëveshja e Dejtonit parashikonte dhënien fund të dhunës, rindërtimin dhe hapjen e  rrugës së paqes.

Marrëveshja ndau administrativisht Bosnje-Hercegovinën në Federatën e Bosnje-Hercegovinë dhe  Republikën Serbe.

Ajo gjithashtu krijoi mundësinë për ndarjen e pushtetit për të siguruar që asnjë pakicë të mos ishte nën mëshirën e shumicës.

Shtojca 4 e marrëveshjes përcaktoi Kushtetutën e Bosnje-Hercegovinës, e cila mbetet në fuqi edhe sot.

OSBE, NATO dhe Bashkimi Europian luajtën një rol vendimtar në vendosjen dhe mbikëqyrjen e sigurisë dhe zhvillimit të Bosnje-Hercegovinës.

”Që prej viteve 1990, SHBA ka dhënë rreth dy miliardë dollarë për rindërtimin e këtij rajoni”, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit në 2019-n.

Këto fonde, të destinuara për ndihmë humanitare dhe zhvillim ekonomik, kanë ndihmuar refugjatët të kthehen në shtëpi dhe të fillojnë jetën e tyre përsëri.

“SHBA mbështet Bosnje-Hercegovinën në rrugën e integrimit të plotë me institucionet perëndimore”, thuhej në fishën informative të Departamentit të Shtetit.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell do të jetë sot në Sarajevë për 25-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë (1992-1995).

Kreu i diplomacisë europiane do të mbajë një fjalim dhe do të takohet me udhëheqësit e lartë boshnjakë, duke filluar me anëtarët e Presidencës tripalëshe.

Objektivi i vizitës së Borrell-it është të riafirmojë mbështetjen për perspektivën e integrimit europian të vendit ballkanik, një proces që po ecën përpara shumë ngadalë për shkak të konflikteve të vazhdueshme midis tre etnive të vendit.

Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, e përfunduar më 21 nëntor 1995 dhe e nënshkruar më 14 dhjetor, Bosnje-Hercegovina përbëhet nga tre popuj, myslimanët, serbët ortodoksë dhe kroatët katolikë, si edhe dy njësi, Federata Myslimane Kroate (BH, 51% e territorit) dhe Republika Srpska (RS, 49%)./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.