Përkushtimi i mjekëve të familjes ndaj të prekurve me COVID-19/ Qytetari tregon se si e fitoi betejën me koronavirusin

 

TIRANË, 21 nëntor/ATSH – Bledi Naska-Arbi Fortuzi/-Që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë, numri i personave që kanë fituar betejën me koronavirusin ka arritur në 15055 persona, ku vetëm në një ditë janë shëruar nga 400 deri në 500 të prekur.

Në këtë luftë me armikun e padukshëm një rol të jashtëzakonshëm po luajnë mjekët e familjes, dera e parë në sistemin shëndetësor ku trokasin pacientët e prekur nga COVID-19 që në shenjat e para që iu shfaqen.

Një nga pacientët i cili ia doli të fitonte këtë betejë duke mposhtur COVID-19, është edhe Marigleni, i cili për ATSH vlerëson punën e mjekëve të familjes dhe se si po funksionon i gjithë sistemi shëndetësor, që nga kontakti i parë me mjekun e familjes dhe deri në momentin që të vjen përgjigja e testit pas mjekimeve të marra.

Marigleni shprehet se nga COVID-19 u prekën të gjithë pjesëtarët e familjes së tij. Por me ndihmën dhe asistencën në mënyrë të vazhdueshme të mjekes së familjes Jonida Diko ia doli ta mposhtte këtë sëmundje.

“Kemi pasur si familje një mbështetje dhe suport të jashtëzakonshëm nga mjekja dhe stafi i poliklinikës dhe i falenderoj jashtëzakonisht shumë për përkujdesjen qe treguan ndaj prindërve të mi që janë në një moshë relativisht të madhe dhe i përkasin pacientëve me shkallë të lartë risku sepse kanë edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. E rëndësishme është që ne që të gjithë jemi shumë mirë me shëndet dhe jemi të gjithë të negativizuar”, shprehet ai për ATSH-në. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.