Buxheti 2021/ Ekonomi për ATSH-në: Krahas Shëndetësisë investimet publike prioritet, krijojnë kushte për rritjen ekonomike, zgjerimin e biznesit e rritjen e punësimit

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi deklaroi sot se buxheti i vitit 2021 synon rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore, tërmetit të 26 nëntorit të vitit që lamë pas dhe pandemisë COVID-19.

Në një intervistë për ATSH-në, Ekonomi thotë se rimëkëmbja ekonomike do të vijë përmes skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjes pro-aktive ndaj biznesit, rindërtimit të plotë të banesave të qytetarëve të prekur nga tërmeti, rritjes se konsumit, si dhe masave parandaluese të përhapjes së mëtejshme të COVID-19.

“Buxheti 2021 dhe ai afatmesëm bazohen në një kuadër makroekonomik të kujdesshëm dhe realist. Pas recesionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -6.1%, ekonomia pritet të rekuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Rritja ekonomike parashikohet në 5.5% në vitin 2021. Norma e papunësisë parashikohet me ulje në 2021 në nivelin 12.2%, krahasuar me të pritshmin e vitit 2020 prej 13.9%”, thotë Ekonomi.

Rritja ekonomike dhe punësimi, vijon Ekonomi, do të mbështetet edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 7.3% e PBB.

“Pra, buxheti i vitit 2021 duhet të luajë një rol të trefishtë. Ai duhet të sigurojë mbështetjen e nevojshme financiare për zbutjen e pasojave të krizës në afatin e shkurtër, të sigurojë fondet e nevojshme për mbështetjen e prioriteteve afatgjata të zhvillimit të vendit, si dhe të garantojë qëndrueshmërinë afatgjatë të shëndetit të financave publike të vendit”, sqaroi Ekonomi.

E pyetur nëse buxheti i vitit që vjen është hartuar në mënyrë të atillë që të mbështesë luftën kundër COVID-19, Ekonomi shprehet se “padyshim po”.

“Buxheti i ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për këtë vit, në krahasim me vitin e shkuar është parashikuar të rritet me 23%. Këto shpenzime drejtohen në disa zëra kryesorë si rritje pagash 40% për 4,700 mjekë dhe 13,800 infermierë me një fond prej 4,5 miliardë lekë, 1,2 milardë lekë për rimbursimin e paketave ambulatore të lëshuara nga mjeku i familjes për trajtimin e COVID-19, 1,5 miliardë lekë mbulesë financiare për vaksinën falas si dhe rritje e kapaciteteve të testimit dhe gjurmimit si dhe fuqizim të kapaciteteve spitalore me 8,4 miliardë lekë“, theksoi ajo.

Ekonomi siguroi se qeveria shqiptare ka parashikuar edhe fondet për blerjen e vaksinës për COVID-19.

“Janë parashikuar fondet. Në fund të tetorit të këtij viti, Parlamenti ratifikoi marrëveshjen e angazhimit, ndёrmjet Republikës së Shqipërisë dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (COVAX Facility). Shqipëria tashmë ka kryer pagesën e parë për të siguruar 1,2 milion vaksinat e nevojshme të fazës së parë“, tha ajo.

Më tej, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Ekonomi shpjegon se si përmes buxhetit të vitit 2021 janë mbështetur shtresat më në nevojë.

“Në fushën e mbrojtjes sociale, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale synon zbatimin me sukses të reformës së programit të përkujdesit social në tre shtyllat kryesore të tij, ndihma ekonomike, paftësia e kufizuar dhe shërbimet sociale. Më konkretisht synohet të mbështeten familjet dhe individët në nevojë që pritet të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike, përfituesit e PAK dhe kujdestarët e tyre, ashtu si dhe personat nga grupet e pafavorizuara përmes punësimit në ndërmarrjet sociale”, thotë Ekonomi.

Gjatë diskutimit të projektbuxhetit për të përballuar situatën e pandemisë në kushtet e individëve ose familjeve në nevojë, sipas Ekonomit, pagesa për ta u rrit me 2,5 miliardë lekë që të sigurohej në vazhdimësi dyfishimin i pagesës që kishin përfituar deri tani.

Ekonomi foli edhe për ecurinë e programit të Rindërtimit.

“Sikurse është parashikuar në Aktin Normativ “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore” dhe VKM në zbatim të tij, procesi i Rindërtimit është një proces i integruar zhvillimi, i përbërë nga pesë programe, në funksion të rindërtimit pas tërmetit, përmirësimit të kushteve të jetesës dhe të shëndetit pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, tha ajo.

Buxheti i vitit 2020, sipas Ekonomit, angazhoi një fond prej 34 miliardë lekë, ndërsa viti 2021 do të angazhojë një fond prej 28 miliardë lekësh dhe do të mundësohen të rindërtohen 145 objekte arsimore, 3,470 banesa individuale dhe 4,738 banesa kolektive.

“Për Programin “grantet e riparimit” vlera e alokuar nga fondi i rindërtimit, përfshirë dhe grantet e arkëtuara në buxhetin e shtetit është në masën prej 9,7 miliardë lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për ato individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara lehtë apo të dëmtuara mesatarisht, si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat)”, shprehet Ekonomi.

Po ashtu, theksoi ajo, pagesa e qirasë për familjet e mbetura të pastreha nga fatkeqësia natyrore tregon se janë 13,091 familje përfituese përkundrejt një fondi prej 2 milliardë lekësh.

Ekonomi renditi edhe disa nga investimet që mbështet ky buxhet.

Sipas saj, rritja e investimeve publike është prioriteti kryesor i projektbuxhetit, për të krijuar kushtet për rritjen ekonomike, zgjerimin e veprimtarisë së biznesit, rritjen e punësimit ndërlidhjen më të mirë territoriale.

“Investimet publike për vitin 2021 parashikohen në nivelin 120.6 miliardë lekë, me një rritje në krahasim me vitin 2020 prej rreth 19 miliardë lekësh ose 18.5 %. Ato përbëjnë 7.2 % të PBB dhe janë në nivelin më të lartë të 10 viteve të fundit. Projektet e mëdha ku do të investohet janë tuneli i Llogorasë, Unaza e re e Tiranës, rruga Kardhiq-Delvinë etj, si edhe zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare dhe akseve rrugore me rëndësi për zhvillimin ekonomik të rajoneve”, deklaroi Ekonomi.

Sa i përket transportit hekurudhor, Ekonomi thotë se parashikohet rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Terminali i pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas.

Po ashtu, financohen edhe një sërë projektesh në vazhdim si vazhdimi i shëtitores së Vlorës – Segmenti Jugor nga Fusha e Sportit deri te Tuneli, rikualifikimi dhe sistemimi i Lumit Gjanica, Loti II, Fier, rikualifikimi urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, etj./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.