Reanimacioni i ri i spitalit të Vlorës/ Shembëlltyrë e përpjekjes transformuese, pjesë e shtuar e frontit për përballimin e COVID

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Reanimacioni i ri i spitalit të Vlorës, një investim i qeverisë me vlerë 56 milionë lekë, ka të gjitha standardet europiane për t’i shërbyer pacientëve.

Ndërsa solli pamje të reanimacionit para dhe pas investimit, Kryeministri Edi Rama tha se “reanimacioni i ri i spitalit të Vlorës është shembëlltyrë e përpjekjes sonë transformuese në shëndetësi dhe pjesë e shtuar e frontit për përballimin e epidemisë COVID”.
“Mirëmëngjes dhe me Reanimacionin e ri të spitalit të Vlorës, shembëlltyrë e përpjekjes sonë transformuese në shëndetësi dhe pjesë e shtuar e frontit për përballimin e epidemisë COVID, një sfidë e madhe që do ta përballojmë së bashku me ekipet mjekësore e me shqiptarët e ndershëm, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Sipas mjekëve të këtij spitali, “për qytetarët e Vlorës tani do të afrohet një shërbim më i mirë dhe nuk ka nevojë të shkojnë në spitalet universitare apo ato private”.

Në sajë të këtij investimi transformues, spitali i Vlorës ka sot një reanimacion të kompletuar me pajisje të teknologjisë së lartë, me 14 shtretër, repsiratorë, 80 monitorë, aspiratorë, shiringa elektrike etj. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.