Rama uron kryeinfermieren e Infektivit: Një prej heronjve të mjekësisë, që e kanë bërë natën ditë në shërbim të pacientëve me COVID-19

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot në ditën e lindjes, Kryeinfermieren e Përgjithshme të spitalit Infektiv Covid 1, Merita Sefa.
Kreu i qeverisë shprehet se Sefa ndodhet në vijën e parë të betejës për të shpëtuar sa më shumë jetë në rrezik.
“Në këtë të premte, që shënon ditën e saj të lindjes, Merita Sefa, Kryeinfermierja e Përgjithshme e Spitalit Infektiv Covid1, ndodhet në vijën e parë të betejës për të shpëtuar me gjithë energjitë dhe përpjekjet njerëzore, sa më shumë jetë në rrezik”, – tha Rama.
Kryeministri Rama thekson se, “është kënaqësi për mua si Kreu i Qeverisë, që t’i uroj këtë ditë të veçantë një prej heronjve të mjekësisë, që e kanë bërë natën ditë, duke sakrifikuar shumë nga e përditshmja e tyre, për t’u shërbyer në çdo orë, pa pushim e pa kursim, me një dedikim të admirueshëm, pacientëve me COVID-19”. /a.a//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.