Naftë për bujqësinë 50% me lirë/ Rrapaj: Trefishohet fitimi i fermerëve

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj, e cilësoi nismën e qeverisë për heqjen e barrës fiskale për naftën që përdor bujqësia, mbështetje që do të rrisë fitimet e fermerëve.

“Nëse buxhetit të shtetit do të mungojnë disa të ardhura që i merrte direkt nga shitja e karburantit përmes taksave, ata do të marrin tashmë shumëfish, 2-3 herë më shumë nga rritja e prodhimit, dhe njëkohësisht edhe nga situata e tjera që do të përmirësohen. Tashmë të gjithë janë të interesuar që të punojnë tokën, dhe të përdorin mekanikën bujqësore për të tretët”, u shpreh Rrapaj gjatë një interviste televizive.

Kreu i KASH tha se, lehtësimi i barrës fiskale do të nxisë formalizimin në sektorin e bujqësisë.

Sipas tij, është një ndër elementët kyç që do të ndikojë në formalizimin e fermerëve.

“Janë të interesuar fermerët të formalizohen duke pasur parasysh përfitimet që kanë nga ulja e çmimit të karburantit dhe ata do të kuptojnë se të formalizuar ata përfitojnë më shumë. IPARD II pati një rritje të numrit të fermerëve të formalizuar, dhe skemat kombëtare po ashtu, ndërsa karburanti ne presim që të dyfishojë numrin e fermerëve të cilët do të pajisen me NIPT”, deklaroi Rrapaj.

Fermerët për të përfituar naftën pa taksa, do të pajisen me kartën e fermerit dhe do të marrin aq karburant sa duhet për kulturën që ata do të mbjellin.

Qeveria do të financojë nga buxheti i shtetit 1 miliard lekë, për skemën e karburantit pa taksa për bujqësinë.

Çmimi i karburantit që përdor bujqësia është aktualisht 160 lekë/litër. Me lehtësitë që ndërmerr qeveria për bujqësinë, duke hequr taksën e akcizës, të karbonit dhe të qarkullimit, fermerët do ta marrin naftën për bujqësi në vitin 2012 me 79.6 lekë/litër.

Pra fermerët kursejnë 80.4 lekë/litër.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.