Mjekësia Ligjore: Pamje të inskenuara nga morgu për të nxitur panik dhe nxirë bluzat e bardha

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ – Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Bledar Xhemali, reagoi sot ndaj disa fotove të publikuara në medie, duke theksuar se “janë pamje të inskenuara nga morgu për të nxitur panik dhe nxirë bluzat e bardha”.

“Në emër të institucionit dhe të stafit tonë, shpreh indinjatën për inskenimin e bërë me fotografitë që janë nxjerrë në medie nga mjediset e morgut. Periudha që po jetojmë në punën tonë, ashtu si për të gjitha institucionet e ngjashme në spitalet e mbarë botës ka qenë tejet e mbingarkuar. Padyshim që morgu nuk bën asnjë përjashtim në pamundësinë për t’i sistemuar denjësisht të gjitha kufomat në mjediset frigoriferike në dispozicion, kur ka më shumë fatalitete”, deklaroi ai .

“Kur jemi në pamundësi, ato sistemohen në tavolina, më pas në barela dhe kur ndodh që të jenë më shumë, vendosen me respektin më të madh në dysheme bashkë me sendet vetjake të paketuara, pasi kryhen proceset përkatëse në pritje që t’u dorëzohen familjarëve. Por kurrsesi nuk është rrëmuja e paraqitur në fotot keqdashëse të shpërndara në media. Sendet personale që shoqërojnë trupat, janë veshjet e të ndjerëve, të cilat përbëjnë kujtime të çmuara për familjarët”, u shpreh ai në një komunikatë për mediet.

“Edhe logjika më elementare të thotë se ky është thjesht dhe vetëm një inskenim.Është e dhimbshme deri në neveri, që autori i fotove është kujdesur të kryejë një shërbim të porositur për të nxitur panik dhe nxirë bluzat e bardha të institucionit. Ne kemi njoftuar institucionet eprore për këtë operacion keqdashës dhe kriminal në raport me publikun dhe shpresojmë që fajtori të identifikohet e të vihet para drejtësisë”, tha Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Bledar Xhemali./gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.