Mirëmbajtja dimërore e rrugëve/ ARRSH: Gati për të garantuar qarkullim normal në çdo aks kombëtar

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Mbajtja hapur e të gjitha akseve rrugore gjatë stinës së dimrit është një ndër prioritetet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se janë marrë të gjitha masat për të siguruar qarkullimin e lirë të mjeteve në të gjitha akset rrugore.

“Jemi gati për mirëmbajtjen dimërore nga data 15 nëntor e deri më 31 mars me mjete e punëtorë për të siguruar që qarkullimi të jetë normal në të gjitha rrugët kombëtare”, bën të ditur Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Për vitin 2021 janë planifikuar 3.4 miliardë lekë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar.
Përmes këtyre investimeve synohet rritja e sigurisë rrugore në të gjitha akset kombëtare me qëllim uljen e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 25%, sipas Strategjisë Kombëtare të Transportit.

Deri në vitin 2022 qeveria parashikon ndërhyrjen në 3483 km rrugë sipas standardeve në të gjithë territorin.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi pak ditë më parë se puna për eliminimin e 10 pikave të zeza në rrjetin kombëtar është drejt përfundimit.

Sipas ARRSH-së, ndërhyrjet konsistuan kryesisht në përmirësime në gjeometri, instalime ndriçimi, ndërtim trotuare në zona urbane, apo përmirësim në sinjalistikë horizontale e vertikale.

Njëkohësisht ARRSH informoi se po vijon puna, gjithashtu, për projektin e përmirësimit të 10 pikave të tjera nga rrjeti rrugor kombëtar./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.