“LSI voton nesër Monika Kryemadhin”/ Luan Rama: Zgjedhjet, moment i rëndësishëm para 25 prillit

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama u shpreh sot se “procesi i zgjedhjeve që do të zhvillohet nesër është një moment i rëndësishëm dhe nuk ka ndonjë sekret që LSI do të votojë nesër Monika Kryemadhin në detyrën e Kryetarit të LSI-së, për të dhënë në këtë mënyrë mesazhin e mbështetjes, unitetit, solidaritetit dhe mbi të gjitha mesazhin e vendosmërisë për të fituar në zgjedhjet e 25 prillit”.

“Nesër në 21 nëntor, në të gjithë Shqipërinë, por edhe gjithkund në diasporë, në mënyrë të veçantë në vendet fqinje, në Greqi, Itali, Gjermani, të tjera vende të Europës, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarët e LSI-së do të marrin pjesë në zgjedhjet për forumet drejtuese dhe për të mandatuar në një proces shumë të rëndësishëm të zgjedhjeve brenda radhëve të tyre, strukturat që do të drejtojnë LSI-në”, tha Luan Rama.

“Anëtarët e LSI me votën e tyre do të zgjedhin nesër Kryetarin e ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që në fakt është rikonfirmim i mandatit të Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha ai.

Luan Rama theksoi se “procesi i votimit ka rëndësinë e vet, prandaj gjatë gjithë ditës ne do të jemi online në sytë e qytetarëve”.

“Ju ftoj të gjithë anëtarët e LSI-së të votojnë nëpërmjet aplikacionit që do të mbërrijë në telefonin e tyre, çka është një aplikacion i vlefshëm vetëm për ata që kanë marrë kartën e re të anëtarësisë. Ndërkaq anëtarët e tjerë që nuk kanë mundur ta marrin dot kartën e re, edhe për shkak të problemeve që shkaktoi periudha e bllokimit prej pandemisë, nesër duke u paraqitur në qendrën e votimit me kartën e vjetër të anëtarësisë mund të votojnë, por njëherësh të plotësojnë edhe formularin për t’u pajisur me kartën e re”, tha ai. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.