Komiteti i Përhershëm Shqipëri-Itali/ Di Maio: Formë dialogu dhe ballafaqimi për mundësi tregtare dhe investimi për të dy vendet

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Italian, Luigi Di Maio deklaroi sot se Italia do të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian.

“Italia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë në rrugëtimin drejt afrimit në BE dhe mbështet me bindje rrugëtimin e reformave kurajoze të brendshme të ndërmarra nga Tirana për këtë qëllim. Përpjekjet tona do të jenë konstante. Objektivi më i afërt është të punojmë në mënyrë që të thirret konferenca e parë ndërqeveritare, qoftë me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht kësaj ndalese të regjistruar në Këshillin e çështjeve të Brendshme, do të nxisim sa më shpejt këtë mbledhje”, deklaroi Di Maio.

Më tej, kryediplomati italian tha se mbetemi të vendosur për të arritur objektivat tona brenda Bashkimit Europian që të fillojmë konferencën për rrugëtimin e vetëm të zgjerimit të BE-së me Shqipërinë.

“Me kryeministrin folëm edhe për çështje të tjera, të lidhura me pandeminë, bashkëpunimin për vaksinat edhe investimet në mënyrë që të dalim nga vështirësitë ekonomike të vendeve tona, që janë vështirësi në rang botëror si pasojë e situatës prej COVID-19”, shtoi Di Maio.

Për këtë, vuri ai në dukje, do të kemi gatishmërinë për të punuar së bashku mbi projektimin e bashkëpunimin për të gjurmuar edhe planin e investimeve në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin ndërmjet ndërmarrjeve publike, bashkëpunimin për planin vaksinor duke parë së bashku drejt një të ardhmeje, të cilën Di Maio e cilësoi si “rozë nëse do ta përshkruajmë së bashku këtë rrugë që na ndan nga normaliteti”.

Lidhur me marrëveshjen për krijimin e Komitetit të Përbashkët të Përhershëm, Di Maio tha se komisioni ekonomik i përbashkët që do të krijohet në bazë të kësaj marrëveshjeje, do të ngrejë një formë dialogu dhe ballafaqimi për mundësi tregtare dhe investimi për të dy vendet tona, si dhe për të përballuar dhe zgjidhur pikat kritike në marrëdhëniet dy palëshe në kuadrin ekonomik.

“Është një kuadër premtues, falë edhe planit të investimeve dhe ai i infrastrukturave, falë edhe planit të modernizimit të infrastrukturave të miratuar nga qeveria shqiptare, e cila vihet një vizion bashkëpunimi me planin e zhvillimit ekonomik dhe të investimit për vendet e Ballkanit Perëndimor të paraqitur nga Komisioni Europian në tetor”, deklaroi ai.

Sipas tij, një aspekt i lidhur me përforcimin e marrëdhënieve tona ekonomike e tregtare është edhe ai i përhapjes së gjuhës italiane në Shqipëri.

“Ndaj shpresoj për një prani më të madhe të arsimit italian në Shqipëri, ndoshta duke e shtrirë edhe gjuhën italiane në institutet teknike dhe profesionale. Një vendim i tillë do të ishte në linjë me zgjerimin konstant të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe praninë e një linje rrjeti të gjerë të firmave italiane në Shqipëri”, deklaroi Di Maio.

“Drejt Europës të përbashkuar”, është urimi që ne mund t’i bëjmë njëri-tjetrit”, tha në shqip Di Maio.

Kryeministri Rama dhe Di Maio firmosën sot në Tiranë, marrëveshjen për krijimin e Komitetit të Përbashkët të Përhershëm./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.