Gianni De Biasi: Përgatitësi atletik, një figurë vërtet e rëndësishme në panoramën futbollistike botërore

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në fillim të muajit dhjetor kursin e përgatitësit atletik.

Drejtuesi i këtij kursi do të jetë përgatitësi atletik i kombëtares shqiptare të futbollit, Luigi Febbrari.

Sipas FSHF kjo është, “një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe lektorë me emër”.

Përmes një video-mesazhi këtë iniciativë të Federatës e ka përshëndetur edhe ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, i cili ka shpjeguar posaçërisht për FSHF.org edhe rëndësinë e rolit të përgatitësi atletik për një skuadër futbolli në ditët e sotme.

“Përshëndetje të gjithë miqtë e mi shqiptarë! Mësova se Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një kurs për përgatitës atletik, një figurë vërtetë e rëndësishme në panoramën futbollistike botërore. Kur unë nisa karrierën bëja edhe trajnerin edhe përgatitësin atletik njëherësh dhe ka qenë një eksperiencë që më ka shërbyer shumë. Por duhet të them se sot nuk do të punoja pa një përgatitës atletik, edhe sepse procesi i zhvillimit të futbollit, dhe konkretisht i futbollit shqiptar, kalon përmes vlerësimit të punës tuaj, të përgatitësve atletikë.

Kësisoj, uroj që me ndihmën e FSHF-së, që ka organizuar këtë kurs dhe me ndihmën e mikut tim Xhixhi (Luigi Febbrari), një person i besueshëm dhe tejet i aftë, të bëni një përgatitje sa më të mirë. Ju përqafoj dhe gjithmonë forca Shqipëria!”, thotë De Biasi në mesazhin e tij.

Sipas rregullores së re të miratuar nga FSHF, në çdo skuadër futbolli do të ketë një përgatitës atletik në stafin e një skuadre, por edhe në stolin e saj teknik. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.