Fatalitetet nga COVID-19/ Basha: Prokuroria të veprojë, Rama po manipulon provat

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se i ka bërë thirrje Prokurorisë të sekuestrojë urgjentisht provat në morgun e Tiranës sa i përket shifrave të fataliteteve nga COVID-19.

Duke folur pas takimit me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio, Basha tha se, “gjatë ditës së djeshme kam bërë thirrje në mënyrë të përsëritur që prokuroria të sekuestrojë urgjent provat në morgun e Tiranës. Lajmi është shokues. Denoncimi nuk është i ardhur nga PD, por është i ardhur nga personeli me integritet shëndetësor, të cilin për arsye të kuptueshme nuk kam ndërmend ta publikoj këtu. Të dhënat janë aty. Çfarë pret prokuroria? Pret që t’i manipulojë Edi Rama? Ky njeri që nuk lë rast pa dalë në konferencë për shtyp pse i duhet deri nesër që të dalë në konferencë për shtyp? Që të manipulohen të dhënat? Po merr kohë që të manipulojë të dhënat”.

“Ky është një lajm shokues. Fshehja e numrit të vdekjeve është lajm tronditës për çdo shqiptar dhe është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë politike”, tha Basha.

Kreu i PD theksoi se, “ky moment nga denoncimi, deri tek konferenca që do bëjë nesër kryeministri, nuk mund të jetë gjë tjetër përveç se moment i manipulimit të provave dhe unë s’kam asgjë tjetër për të thënë përveç se të përsëris thirrjen që kam bërë që mbrëmë drejtuar Prokurorisë shqiptare. Veproni zotërinj prokurorë. Shkoni merrni provat. Provat që na u sollën ne janë aty, janë në morg”.

Sa i përket takimit me ministrin italian, Di Maio Basha tha se ishte, “një takim miqësor dhe i frytshëm. Falënderova Ministrin për ndihmën që na ka dhënë shteti italian gjatë kësaj pandemie. I kërkova që të bëjë gjithçka që Italia mike të sigurojë akses për vaksinat antiCovid që do jenë në përdorim”.

“Dua të ndaj lajmin e mirë të angazhimit të qeverisë italiane për të asistuar personelin shëndetësor shqiptar në adaptimin e vaksinës antiCOVID”, theksoi Basha.

“Kur të gjithë vendet e mëdha po synojnë të marrin sasi të mëdha vaksinash, t’i drejtohesh një vendi të madh për mbështetje është zgjidhja e duhur për një vend të vogël si ne”, shtoi Basha.

Sa i përket integrimit europian, Basha tha se, për herë të shtatë në 7 vite Shqipëria rrezikon një jo tjetër në procesin e integrimit për shkak të mosplotësimit të kushteve.

Basha shtoi se, reforma zgjedhore, kryekushti i hapjes së negociatave, u zhbë në mënyrë të njëanshme.

“Sigurova Di Maio se opozita do të bëjë gjithçka për ta ndihmuar procesin e integrimit”, tha Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.