Dita Botërore e Fëmijëve/ Kushi në Institutin e fëmijëve që nuk shikojnë

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Në kuadër të Ditës Botërore të Fëmijëve, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka zgjedhur të vizitojë Institutin e fëmijëve që nuk shikojnë.

Qëllimi i vizitës ishte për të parë më nga afër kushtet ku nxënësit e këtij instituti mësojnë dhe për t’u njohur gjithashtu me nevojat ku kërkohet edhe mbështetja e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

“Jam e lumtur që hasa një ekip me përvojë e shumë të përkushtuar, me ne krye Emilianon, i cili shërben si frymëzim për nxënësit e këtij instituti, që të kenë më shumë besim se mund t’ia dalin në jetë”, nënvizoi ministrja Kushi në postimin e saj në rrjete sociale.

Ndër të tjera, ajo cilëson se “ky ekip jeton e punon çdo ditë me kauzën madhore të shërbimit ndaj fëmijëve që nuk shikojnë. Për ta, ky institut me vlerë të veçantë është si një shtëpi e dytë, dhe unë personalisht, u ofrova gjithë gatishmërinë time të plotë për t’i dëgjuar në çdo moment e për t’i mbështetur sa herë nevojitet”./a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.