Dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit/ Prokuroria e Durrësit përfundon hetimet, 16 të pandehur për gjykim

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Më pak se një vit nga tërmeti i 26 nëntorit të një viti më parë, Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet.

Në njoftimin për mediet, Prokuroria e Durrësit bën të ditur se janë dërguar për gjykim 16 të pandehur.

“Si pasojë e këtij tërmeti u dëmtuan një numër i konsiderueshëm banesash dhe objektesh të tjera, si dhe kanë gjetur vdekjen 23 persona në  territorin në të cilin ushtronte veprimtarinë Prokuroria pranë Gjykatës së shkallës së parë Durrës. Hetimet kanë filluar pasi dyshohej se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në vdekjen e njerëzve kanë ardhur edhe si shkak i ndërtimeve të kryera pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimeve, si dhe për shkak të ndërtimeve të kryera pa lejen e organeve kompetente. Po kështu ka dyshime se këto pasoja kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes apo moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudatorë të këtyre ndërtimeve, si dhe nga moskryerja e detyrës nga nëpunësit shtetërorë dhe publik të ngarkuar me kontrollin e mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.

Në dokumentin arsyetues prej 34 faqesh, Prokuroria thekson se “…nisur nga fakti se të pandehurit janë të përgjegjshëm përpara ligjit dhe kanë mbushur moshën për përgjegjësi penale, si dhe veprën  penale e kanë kryer me dashje ose nga pakujdesia sipas akuzës së secilit të pandehur, çështja në ngarkim të tyre është dërguar për gjykim”.

Sipas organit të akuzës, të pandehurit janë Ramiz Shehu, Nevjana Isufi, Abdulla Osmani, Ruzhdi Xheka, Arben Isaku, Aldo Dakoveli, Artur Terziu, Artur Çela, Klajdi Lame, Flamur Gjuzi, Albrend Qetka, Skerdi Bello, Artenis Malko, Deshira Qato, Arben Qato, si dhe Kujtim Hasa.

Prokuroria e Durrësit ka kërkuar pushim të ndjekjes penale për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndaj shtetasve Defrim Celami dhe Ahmet Doda.

Dosja e Prokurorisë së Durrësit për gjykim:

Gjykimi Termeti FINAL-Media-1

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.