Akuzat e opozitës për fshehje të vdekjeve, Skënder Brataj: Sulm ndaj mjekëve, çdo pacient është i skeduar

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, dr. Skënder Brataj i cilësoi sot akuzat e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për fshehjen e numrit të humbjeve të jetës si sulm ndaj mjekëve, pasi sipas tij, çdo pacient është i skeduar dhe raportohen rregullisht.

Në një intervistë televizive Brataj theksoi se “është absurde të pretendohet që mund të fshihen vdekjet. Këto akuza janë gjëja më e rëndë që mund t’i kushtohet personelit mjekësor. Është akuzë direkte ndaj mjekëve, nuk më duhet as ministria, as qeveria apo institucione të tjera. Ata i kushtojnë jetën pacientëve, kanë bërë një betim, i dedikojnë jetë këtij profesioni, sidomos ata mjekë që në këto momente janë në spitale”.

“Mjeku ka në dorë kartelën e pacientit, çdo pacient është i skeduar, është ai që shkruan me detaje gjithë procesin e trajtimit dhe shkakun e vdekjes. Emrat e qytetarëve që kanë humbur jetën nuk janë sekret, pasi do i çrregjistrosh, do i heqësh nga gjendja civile”, tha  Brataj.

Kreu i Urgjencës Kombëtare u shpreh se përqindja e vdekshmërisë në krahasim me shkallën e infeksionit mbetet e ulët.

“Indikatorët janë akoma nën kontroll dhe janë të menaxhueshëm. Nuk ka këtu arsye për t’u alarmuar. Jemi akoma tek masat e mesme, mund të ketë kufizime oraresh, kufizim aktiviteti për subjektet, të cilat nuk janë esenciale. Përqindja e vdekshmërisë në krahasim me shkallën e infeksionit është e ulët”, tha ai./k.s/ /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.