Akuzat e Bashës/ Koja: Po e shndërron pandeminë në kauzë politike

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Ish-ministri i Shëndetësisë dhe eksperti i Shëndetësisë, Gjergj Koja deklaroi sot se Basha ka bërë një akuzë të rëndë në lidhje me shifrat e viktimave nga COVID, duke e shndërruar pandeminë në kauzë politike.

Koja u shpreh në një intervistë televizive se, ai që bën akuzën ka edhe barrën e provës.

“Ai që bën akuzën ka barrën ne provës. Të shkojë të bëjë kallëzim penal. Siç bëri kallëzim penal për inceneratorët të bëjë dhe për këtë”.

Koja sqaroi se çdo mjek mban përgjegjësi për kartelën që i hap çdo pacienti.

“Çdo person ka një kartelë mjekësore që hapet nga një mjek. Pra çdo mjek ka përgjegjësinë profesionale dhe ligjore për atë pacient”, tha Koja.

Sipas Kojës kreu i opozitës ende nuk e ka kuptuar sesa e rëndë është akuza që ka bërë dhe s’e ka revoltuar mjekët.

“Duke mos pasur asnjë të dhënë jep një deklaratë monstruoze. Akoma s’e ka kuptuar se çfarë ka deklaruar”, tha Koja.

“Kjo është një deklaratë apokaliptike që ka shqetësuar shumë personelin shëndetësor. Nuk ishte deklaratë për shtyp, por me zë e figurë e mjekëve. Të gjithë këta mjekë të cilët deri dje opozita i quante heronj. Këta mjekë janë të revoltuar”, shprehet Koja.

Koja theksoi se kjo është një akuzë që e shndërron pandeminë në kauzë politike

“Mund të jemi vendi i vetëm në Europë që bëhet politikë me pandeminë. Basha u kujtoi shqiptarëve se pandemia për opozitën përbën një kauzë politike. Se di ku është halli”, përfundoi Koja. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.