47 vite pjesë e teatrit “Bylis” të Fierit/ Ndahet nga jeta aktori e regjisori Fatmir Xhelili

TIRANË, 20 nëntor/ATSH – Bledi Naska/ Bota e artit dhe e skenës shqiptare fatkeqësisht ka humbur një tjetër figurë dhe aktor të mirënjohur. Fatmir Xhelili ndërroi jetë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër dhe më pas ka rezultuar pozitiv edhe me Covid-19.

Fatmir Xhelili për 47 vite ka qenë pjesë e teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit ku edhe ka interpretuar shumë role përkrah aktorëve të tjerë të njohur të skenës shqiptare. Ai e nisi rrugëtimin shumë vite më parë kur punonte ndërkohë si elektricist në Ndërmarrjen e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh dhe që atëherë nuk u tërhoq kurrë nga skena.

Regjisorë të ndryshëm e kanë vlerësuar Fatmirin si një aktor shumëdimensional, pasi mund të realizonte në mënyrë të shkëlqyer si figura komike, ashtu edhe ato dramatike. Zhanri të cilin ai parapëlqente ishte komedia ku bashkëpunimet e shumta me regjisorin Pëllumb Kulla e bënë Fatmirin të spikaste me interpretimet e tij.

Fatmiri gjatë jetës së tij artistike ka interpretuar mbi 180 role ku është vlerësuar edhe si aktori më i mirë 4 herë. Disa nga rolet e tij më të mira janë në komeditë si “Fejesa” e A.P. Çehov, “Dy dyzina me trëndafila” dhe “Një budalla e gjysmë”, ndërsa në dramë vlenë të veçojmë “Fqinjët”, “Vitet e paharruara”, “Pazari” etj.

Lajmin e përcolli edhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, i cili ndau hidhërimin për këtë humbje.

“Fieri ka humbur sot një prej simboleve të artit dhe të humorit, fëmijët humbën ideatorin, aktorin dhe regjisorin e dhjetëra shfaqjeve teatrale me kukulla, kurse Teatri “Bylis” ka humbur sot një prej aktorëve emblemë të tij, Fatmir Xhelilin”, u shpreh Subashi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.