Zbatimi me sukses i Karavastasë/ Colangeli: Kartvizita më e mirë që Shqipëria paraqet për investitorët e huaj

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Drejtori i Zyrës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Tiranë, Matteo Colangeli deklaroi sot se energjia e rinovueshem është një ndër ato industri pë të cilat ka një interes të lartë të investitorëve të huaj për të investuar.

“Jemi të kënaqur të mbështesim këtë projekt të dytë të ndërtojmë mbi rastin e suksesshëm të Karavastasë dhe të mbështesim rritjen e këtij sektori në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”, tha ai gjatë ceremonisë për çeljen e ankandit për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Spitallë.

Sipas tij, ka shumë arsye pse kjo është një gjë e rëndësishme për ne sot.

“Diversifikimi i burimeve të rinovueshme dhe energjia diellore është pjesa e duhur për të plotësuar prodhimin energjitik dhe për të zbutur rreziqet që vendi ekspozon që është varësa ndaj reshjeve dhe kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur buxhetin e shtetit nga luhatjet sa i përket rreziqeve që paraqet moti”, deklaroi përfaqësuesi i BERZH-it.

Colangeli tha se pika e dytë është ajo financiare. “Duhet të themi se përvoja e Karavastasë na ka mësuar diçka. Ky është rast studimor i shkëlqyer, i vlerës dhe proceseve transparente të shkëlqyera që u ofrojnë investitorëve qartësi të plotë mbi risqet dhe oportunitetet që paraqet projekti dhe kjo është ajo që i bën investitorët të investojnë dhe t’i japin Shqipërisë një çmim të mrekullueshëm me të cilin OSHEE do të blejë energji prej parkut fotovoltaik”, deklaroi Colangeli.

Pika e tretë, shtoi ai, ka të bëjë me investimet e huaja.

“Ne jemi të kënaqur me fillimin e punës nga TAP. Tani Shqipëria duhet të hedhë sytë tjetërkund për investime të reja të huaja. Energjia e rinovueshme është një ndër ato industri dhe ka shumë investitorë që duan të hyjnë në Shqipëri dhe janë të rëndësishme proceset e sakta, ku edhe investitori ndjehet i sigurtë. Karavastaja solli Voltalian dhe shpresojmë që edhe parku fotovoltaik i Spitallës të sjellë një investim të huaj direkt po kaq të madh sa Voltalia”, u shpreh ai.

Sipas tij, suksesi nuk ka të bëjë vetëm me procesin e tenderimit por dhe me zbatimin e projekteve. “Suksesi sjell suksesin dhe është lajm i mirë progresi që është bërë me Karavastanë”, shtoi përfaqësuesi i BERZH-it.

“Këto suksese janë kartvizita më e mirë që Shqipëria paraqet për investitorët e huaj dhe ju e dini që jemi krenar për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin me qeverinë. Duam të kontribuojmë më shumë në energjinë diellore dhe në zbatimin sa më të saktë dhe të duhur të këtyre projekteve që ato të jenë kartëvizita të vlefshme për vendin. Dhe siç tha ministrja dhe ne mezi presim të fillojnë projektet e fushave të reja”, u shpreh Colangeli. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.