Vetingu në Polici/ Konfirmohet në detyrë kreu i SHÇBA, Muhamet Rrumbullaku

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Muhamet Rrumbullaku, me funksion drejtor i përgjithshëm i SHÇBA-së, ka kaluar “sitën” e Vetingut.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, pasi ka bërë vlerësimin e figurës së Rrumbullakut, ka vendosur të konfirmoj në detyrë drejtorin e Përgjithshëm të SHÇBA-së.

Mëngjesin e të enjtes, KJV u mblodh për të publikuar konkluzionet e arritura gjatë vlerësimit të figurës së Rrumbullakut. KJV vlerësoi Rrumbullakun në tre shtyllat kryesore vlerësimit, pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale.

Relatorja Mirela Ujkani u shpreh se Komisioni e ka cilësuar si “rastësi” fotografinë mes Rrumbullakut dhe Frrokut, teksa po qëndronte me kolegët në tavolinë, dhe kjo nuk e lidh kreun e SHÇBA me ngjarje kriminale.

“Për foton, ka thënë se e kanë hedhur në Facebook me 24 prill 2011. Vrasja e kryekomisarit ka ndodhur në 2014. Ai ka qenë me kolegët dhe ka qëndruar për një kohë të shkurtër në tavolinë. Komisioni, ka hetuar duke kërkuar informacione dhe SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e Posaçme dhe Policia e Shtetit kanë sjellë të dhëna, ku komisioni arriti në konkluzion se takimi ka qenë rastësor. Ka qenë me kolegët, dhe më pas kanë ardhur shtetasit e tjerë që ka qëndruar me ta disa minuta. KJV konstaton se ka pasur takim rastësor më dt 7.5.2011. Nuk rezulton që shtetasi me të cilin është takuar të jetë dënuar para kësaj date. Kontakti nuk mund të vlerësohet si kompromentuese pasi ngjarja ka ndodhur disa kohë pas takimit”, – sqaroi relatorja Ujkani.

“Sa i përket pasurisë, sqaroj se edhe në vitin 2005 ka bërë një deklaratë që përputhet me të gjitha të dhënat dhe burimi i krijimit të të ardhurave është i justifikuar”, – konfirmoi Ujkani.

Trupa e vlerësimit e KJV duke u nisur nga sa më lart, deklaroi se Rrumbullaku konfirmohet në detyrë, duke kaluar kështu Vetingun. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.