Prodhimi bujqësor u rrit me 2.63% në tremujorin e dytë

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti prodhimi bujqësor u rrit me 2.63%, ndërsa sektori ka mbështetjen më të madhe financiare nga buxheti i shtetit me 12.8 miliardë lekë ose 2 miliardë lekë më shumë se në vitin 2020, si dhe nga donatorët.

Sipas INSTAT në totalin e prodhimit bujqësor përfshihen sektorët, bujqësi, blegtori, peshkim dhe agropërpunim.

Në kushtet e situatës së vështirë që ka krijuar pandemia COVID-19, sektori i bujqësisë ka pasur një avantazh konkurrues në aspektin e qëndrueshmërisë së rritjes pozitive.

Ndërsa politikat e reja lehtësuese dhe programet e financimit në 2021, për fermerët dhe sipërmarrësit e këtij sektori pritet t’i japin një hov të ri zhvillimit të bujqësisë në tërësi.

Konkretisht lehtësimi nga barra fiskale i naftës së përdorur fermeri pritet të ketë ndikim direkt në rritjen e aktivitetit bujqësor, konkurrueshmërinë e produkteve dhe eksporteve bujqësore, ashtu si dhe përdorimin e më tepër mjeteve për punimin e tokës.

Sot një fermer paguan 160 lekë për një litër naftë, por nga 1 janari i 2021-it fermeri e përfiton naftën me 50% të vlerës ose 80.4 lekë më pak.

Efekti në buxhet si rezultat i kësaj nisme të qeverisë llogaritet 1 miliard lekë. Përfitues do të jenë rreth 70 mijë fermerë në të gjithë vendin.

/e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.