Paketë universale, përfitojnë të gjithë të prekurit me COVID-19/ Manastirliu: Mjeku i familjes lëshon recetën për barnat me rimbursim

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot se vendimi për rimbursimin e shpenzimeve është një paketë universale nga e cila përfitojnë të gjithë të prekurit me COVID-19.

Në një konferencë për shtyp ministrja Manastirliu, tha se zbatimi i kësaj pakete ka nisur që ditën e sotme dhe rimbursimi do të bëhet dhe për format e lehta, dhe ato të mesme.

Sipas saj, mjeku i familjes në bazë të zhvillimit të sëmundjes do të lëshojë recetën për barnat me rimbursim për pacientët e infektuar me COVID.

“Zbatimi i paketës në trajtimin ambulator në banesë ka filluar prej ditës së sotme. Udhëzuesit e trajtimit janë rifreskuar që nga muaji prill nga mjeku i familjes. Mjeku i familjes do të vijojë të ketë një rol esencial në raport me mbështetjen e paketës së rimbursimit duke vlerësuar llojin e sëmundjes, duke lëshuar më pas recetën me rimbursim të përcaktuar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, – nënvizoi Manastirliu.

Ministrja tha se “është e rëndësishme që ky udhëzues që prej 1 muaji është shpërndarë në qendrat shëndetësore. Në asnjë moment nuk e kemi ndalur mbështetjen tonë për ata që nuk kanë mundësi për të tërhequr medikamente. Ne ua kemi dërguar dhe në banesë. E kemi bërë edhe në fillim të pandemisë. Çdo qendër shëndetësore ka një dhomë të veçantë izolimi për raste të dyshuara me COVID”.

Për sa i përket terapive apo paketës së barnave të trajtimit ambulator, Manastirliu, u shpreh se “është mjeku i familjes i cili vendos paketën e medikamenteve që do të marrin. Ai do të vendosë dhe çfarë ekzaminimesh do të bëhen, dhe se kur do të bëhen”.

“Buxheti për shëndetësinë është rritur me 23 % krahasuar me një vit më parë për të mbështetur këtë pandemi. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm është institucioni që do të administrojë këtë skemë nga pikëpamja në terren”, – tha Manastirliu.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.