Ndihma juridike dytësore tashmë me vendim gjykate, jo më me akt administrativ

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, dhënia e ndihmës juridike dytësore nuk jepet më përmes një akti administrativ, por përmes një vendimi gjyqësor duke u ngarkuar drejtpërdrejt gjykatave, pranimin ose jo të kërkesës për ndihmë juridike dytësore.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, sqaroi se “me dhënien e vendimit për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore, vendimi gjyqësor i përcillet Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, e cila cakton një avokat nga lista e miratuar e avokatëve që ofrojnë ndihmë juridike dytësore. Për 2018 – lista e avokatëve që ofrojnë ndihmë juridike dytësore përbëhej nga 23 avokatë”.

“Në 2019 është rritur ndjeshëm, numri i avokatëve në këtë listë duke arritur 70 avokatë. Për herë të parë në 2019 është edhe sanksionimi i avokatëve të specializuar në fusha të së drejtës, kur specializimi është i nevojshëm, si në rastin e përfaqësimit të të miturve, të viktimave dhe në raste të tjera të parashikuara me ligj. Në 2020 rezultojnë 73 avokatë në listën e avokatëve që ofrojnë ndihmë juridike dytësore”, – sqaron Gjonaj.

“Risi e 2020 është miratimi i Udhëzimeve për rregullat e zbatimit të tarifave dhe parimit të rotacionit në caktimin e avokatëve që do të ofrojnë shërbime të ndihmës juridike dytësore”, të cilët përcaktojnë procedura të detajuara në kuadër të garantimit të një procesi eficent dhe transparent”, – thekson Gjonaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.