Maska mbrojtëse gjatë aktivitetit fizik, asnjë efekt në funksionimin e mushkërive

ROMË, 19 nëntor /ATSH-ANSA/ – Nëse jeni të shëndetshëm, mund të bëni edhe aktivitet fizik me maskë, pa ndikuar kjo në parametrat fiziologjikë, siç është niveli i oksigjenit në gjak, sipas një përmbledhjeje studimesh nga Universiteti i San Diego, e botuar nga “Annals of the American Thoracic Society”.

Studiuesit analizuan dhjetëra studime të botuara më parë, që përfshinin lloje të ndryshme të sforcimeve fizike dhe modele të ndryshme të maskave, nga maskat e zakonshme, madje deri edhe te respiratorët industrialë.

“Edhe pse aktiviteti me maskë mund të të krijojë përshtypjen se përpjekja për të marrë frymë është më e madhe, efektet në gazrat e tretur në gjak dhe parametrat e tjerë fiziologjikë janë të vogla, shpesh mjaft të vegjël për t’u matur”, përfundon studimi.

“Për më tepër, nuk ka asnjë provë që tregon ndryshime në lidhje me gjininë ose moshën përsa i përket përgjigjes ndaj aktivitetit fizik me maska”, thanë autorët e studimit.

Sipas studimit, gjatë stërvitjes mund të ndodhin efekte të tilla, si ndjenja e gulçimit, fytyra që bëhet më e nxehtë ose djersitje më e madhe se zakonisht, por këto janë ndjesi të perceptuar, që nuk kanë ndikim në funksionin kardiopulmonar te njerëzit e shëndetshëm./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.