Mandati i tretë i PS i duhet Shqipërisë/ Nuk ka alternativë tjetër që bën të mundur vijimin e punëve të nisura

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ “Mandati i tretë i Partisë Socialiste, i duhet Shqipërisë për të vijuar punët e nisura dhe bën të mundur që Shqipëria e këtij 20-vjeçari të jetë Shqipëria e gjeneratës së re”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Gjatë një emisioni televiziv, Rama e cilësoi cinike idenë e një koalicioni me bazë të gjerë me Partinë Demokratike, ndërsa ka pohuar se Partisë Socialiste i duhet mandati i tretë për të vijuar punët e nisura.

“Cinikët nuk na kanë munguar asnjëherë dhe i kemi aq shumë, sa nëse do kishte një treg për cinikë, do kishim eksport cinikësh pa asnjë problem. Ju e dini që unë s’flas asnjëherë me ‘nëse’. Partia Socialiste do të marrë mandatin e tretë për një arsye të thjeshtë, e nuk është për mua personalisht, por është mandati i tretë i PS që i duhet Shqipërisë”, – tha Rama.

“Nuk mund të ketë për Shqipërinë një alternativë tjetër që bën të mundur vijimin e punëve të nisura dhe që bën të mundur që Shqipëria e këtij 20-vjeçari, të jetë realisht Shqipëria që duam për fëmijët tanë. Çdo rrugë tjetër nuk është një eksperiment i rrezikshëm, por një provë e bërë. Kur shoh opozitën mendoj se kush nga këta që flasin sot do jetë në qeveri, nga Lul Basha, tek Ilir Meta, tek Monika, Dashi, Nardi, Saliu, Vangjeli… Të gjithë me radhë pretendojnë të qeverisin vendin, për ta kthyer vendin aty ky ishin. Unë do jem këtu ku jam për të vijuar punën që flet vetë. Flet vetë për të gjithë shqiptarët që kanë sy dhe duan të shikojnë, kanë veshë dhe duan të dëgjojnë, kanë mendje dhe duan të kuptojnë. Për të tjerët, që nuk kanë sy për të shikuar, veshë për të dëgjuar e mendje për të kuptuar, duhet dikush tjetër”, – tha Rama.

Rama tha se për një kryeministër, sakrificë është vijimi i misionit, dhe jo largimi. Ai shtoi se qeverisja e vendit është privilegj dhe nder.

“Mandati i tretë për PS dhe jo për vete? Është një nga problemet e pazgjidhshme të jetës publike dhe të marrëdhënies me publikun të një njeriu që ngjitet në majë, që të përpiqet të thotë e jo më të bindë njerëzit, që në fakt sakrifica është e kundërta. Pra nuk është sakrificë ta lësh këtë punë, pasi ke bërë dy mandate, që janë superngarkesë, që janë një mundim i jashtëzakonshëm në çdo aspekt, gjë që e tregon dhe pamja e jashtme. Por, është sakrificë të vazhdosh, në radhë të parë është sakrificë e shumëçkaje që njeriu detyrohet të mos mendojë më, ose të mendojë shumë pak, kur bën këtë punë, duke nisur nga familja, fëmijët, të gjithë të tjerëve rreth e rrotull, që janë të detyruar të jetojnë me një të përditshme të jashtëzakonshme për nga stresi që kanë. Nga ana tjetër, sigurisht është privilegj dhe nder shumë i madh që të kesh mundësi që ta bësh këtë sakrificë për vendin tënd”, – tha Rama.

“Për të ardhur te mandati i tretë. Marrim shëndetësinë, ne kemi bërë këto shtatë vite te shëndetësia atë që nuk është bërë për dekada të tëra dhe kjo punë duhet të vijojë. Përfytyroni që Ministër i Shëndetësisë mbas mandatit tonë të dytë të jetë, Petrit Vasili, Nard Ndoka, zgjidhni e merrni; mendoni që Ministër i Financave të jetë Monika Kryemadhi, Dash Shehi, e të tjera, e të tjera; përfytyroni që Ilir Meta të jetë Ministër i Brendshëm dhe të kthehet gjithçka pas, sepse nuk është thjesht çështje e njerëzve që janë provuar, janë njerëz që kanë degraduar ndërkohë, që kanë braktisur edhe ato ambicie që kanë pasur për ta ndryshuar këtë vend dhe e kanë kaluar në cinizmin total, që thjesht duhet ta kenë këtë vend për vete”, – tha Rama.

“Vetëm ai që gjendet në këtë pozitë e kupton. Prandaj, Fransua Miterani thoshte se vetmia e madhe e të qënit në krye, pasi kush është në krye, aq sa është me shumë njerëz, aq është dhe vetëm, sepse je ti që gjendesh në pozitën që nuk do doje kurrë të ishte në atë vend. Je ti që kur të tundet shtëpia, përveç se do të mendosh në momentin e parë për familjen tënde, më tej do duhet të mendosh për njerëzit e tjerë jashtë shtëpisë tënde, dhe je ti që duhet të dëgjosh, që keq këtu dhe keq atje  Dhe po ti duhet të dalësh në mes të natës dhe të përballesh me një sfidë që në atë moment të duket e pakapërcyeshme. Je ti që duhet të rrish zgjuar, kur të tjerët flenë, je ti që duhet të dalësh e të përballesh me sfida të përditshme, teksa të tjerët presin nga ty dhe je ti që në fund të ditës merr vendime dhe është çështje përgjegjësie aq e madhe. Kjo është një përgjegjësi aq e madhe, sa ajo që ka thënë Lyndon Johnson, është kaq e vërtetë, që nuk do doja kurrë të isha unë ai që po flas sot me ju, në kushtet kur një e keqe vjen dhe je ti që duhet të dalësh e të përballesh. Jo vetëm të përballesh vetëm kur del, por në të përditshmen, në çdo orë. Kjo është e pamundur të kuptohet nga të tjerët, ka shumë njerëz që politikën e kanë për të përfituar, ka plot njerëz që e shohin politikën si një mënyrë për t’u vetëplotësuar. Pikërisht se ka njerëz që e shohin dhe bëjnë politikën si një aktivitet që është shpirt e mish i gjithi aty, ndryshon dhe bota. Po të ishin të gjithë politikanët njësoj, bota nuk do ndryshonte e do kishte marrë fund dhe sikur të mos ishin ata, që marrin nga njerëzit privilegjin e madh për t’i shërbyer njerëzve. Pra në këtë këndvështrim nuk është sakrificë të braktisësh frontin, në momentin kur ke shumë për të dhënë, por është sakrificë të qëndrosh aty, të përballosh gjithçka që vjen me pluhrin e baltën me të gjitha padrejtësinë e saj dhe për të shkuar përpara për të arritur një qëllim, që në fund të ditës, me lejen e Zotit, të mbetet gjurmë në histori”, – tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.