“Lulëzim Basha dhe Argita Berisha ndihmuan në përgatitjen e lëndës bazuar në provat e prokurorisë serbe”/Ish-luftëtar i UÇK-së: Të tregojë provat e rrejshme kundër nesh

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu referua sot një komunikate të datës 3 qershor të vitit 2013, të bërë nga ish-ushtarë të UÇK-së, ku thuhej se Lulëzim Basha dhe Argita Berisha kanë ndihmuar bashkësinë ndërkombëtare në përgatitjen e lëndës bazuar në provat e prokurorisë serbe.

Duke iu referuar dëshmisë së tyre për televizionin Top-Channel, Balla tha se, “sot ish-luftëtarët e UÇK-së kanë një tjetër thirrje për Bashën: Trego provat e rrejshme”.

“Serbia ka pasur një zyrë hetimi për krimet e UÇK-së në veri të Kosovës. Lulzim Basha duhet të sqarojë nëse ka qenë pjesë e asaj zyre! Të tregojë për kasetën! Të tregojë pozicionin e tij”, u shpreh sërish sot Blerim Muriqi, ish–luftëtar i UÇK-së.

“Përveçse nga individë, emri i Lulzim Bashës është përmendur edhe nga një grup ish-ushtarësh të UÇK-së, nën akuzat për grumbullim të provave për krime luftë për ish-komandat të UÇK-së. Në komunikatën e datës 3 qershor të vitit 2013, nga ish-ushtarë të UÇK-së, thuhej se Basha dhe vajza e Sali Berishës, Argita Berisha kishin shërbyer si ekspert ku kishin ndihmuar bashkësinë ndërkombëtare që të përgatisnin lëndët bazuar në provat e prokurorisë serbe”, thuhet në kronikën televizive.

Sipas Top-Channel, “kjo komunikatë ishte lëshuar kur këta ushtarë kishin hyrë në grevë për më tepër se 20 ditë, pas arrestimit të pesë ish-komandantëve, në mesin e tyre Sylejman Selimi e Sami Lushtaku nga EULEX nën pretendimet për krime lufte”.

Sot, njëri nga grevistët, Blerim Muriqi tregon për Top Channel arsyet e akuzës. Për këtë ai kërkon një sqarim publik nga Basha.

“Është diçka që nuk po përmendet. Serbia ka pasur një zyrë hetimi për krimet e UÇK-së në veri të Kosovës. Moralisht Basha, unë do ndihesha mirë, nëse sqaronte nëse ai ka qenë pjesë e asaj zyre. Ta shpjegoj kasetën që po bëhet aq zhurmë, duhet ta shpjegoj ditarin e  luftës së një eprori të lartë, Gashit, duhet ta shpjegoj se ça ka qenë, hetues, përkthyes dhe cilat kanë qenë temat me të cilat ai është marrë”, tha Muriqi.

Top Channel ka kontaktuar edhe me Ibrahim Kelmendin iniciues i grevës, i cili në pamundësi për t’u prononcuar para kamerës ka dhënë një përgjigje me shkrim, ku thotë se dyshimet e tyre bazoheshin edhe në burime brenda UNMIK.

“Në njohuritë që pata krijuar qysh gjatë vitit 2000, sepse ishin edhe ca kuadro në hierarkinë operative të administratës ndërkombëtare, të quajtur UNMIK. Ishin ca nga ata që ndonjëherë konsultoheshin edhe me mua dhe tërthorazi më tregon se cilët kuadro ishin angazhuar me përkushtim për të grumbulluar fakte dhe pseudo fakte, edhe përmes dëshmitarëve të rrejshëm. Ndër ta janë përmend emrat e Lulzim Bashës dhe Argita Berishës-Malltezit, të cilët u shërbenin edhe institucioneve të Serbisë, të angazhuara ilegalisht në Kosovë, që kishin zyra koordinuese në Mitrovicë të Veriut. Ta zëmë, ishte afirmuar sidomos prokurori italian Salustro, që ishte më agresivi me akuzim të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Ai ishte një fakt më shumë, se dëshmitë e rrejshme dhe pseudofaktet e kishin burimin te institucionet e Serbisë, për të cilat punonte edhe Lulzim Basha me kolegë të tij nga Shqipëria. Jam informuar edhe nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilëve u ishin premtuar emigrime e shpërblime financiare nëse ishin të gatshëm të bënin dëshmi të rrejshme kundër UÇK-së”, shprehet Ibrahim Kelmendi, ish-ushtar i UÇK-së. /m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.