Korçë/ Investimet në rrugët rurale, prioritet i buxhetit të vitit të ardhshëm

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Bashkia e Korçës u ka dhënë fokus të veçantë rehabilitimit e  rrugëve rurale, në kuadër të programit të investimeve publike për vitin 2021.

Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo u shpreh se,”krahas investimeve në ujësjellësa, kanalet vaditëse një ndër prioritetet tona për vitin 2021, është edhe rikonstruksioni i rrugëve rurale si një mundësi të artë për rritjen e investimeve në bujqësi e blegtori dhe nxitjen e agroturizmit, që është kthyer  në traditë në shumë zona të bashkisë Korçë”.

Një ndër investimet që ndërmerren vitin që vjen është rehabilitimi i plotë i rrugës që lidh Polenën me Dërsnikun, në njësinë administrative Voskopojë.

Ky aks rrugor do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve në zonën agroturistike të Voskopojës si dhe do të ndihmojë fermerët e zonës për daljen më shpejt në treg me prodhimet e tyre.

Gjithashtu theksoi Filo, vëmendje në investime të shtuara po adresohet edhe tek ujësjellësit.
“Pas ujësjellësit të Goskovës, në muajin dhjetor do të fillojë puna për atë të Gjonomadhit dhe në fillim të vitit tjetër do të punohet për ujësjellësin e Voskopit dhe Voskopojës”, tha ai.
Ndërsa vuri në dukje se me një buxhet prej rreth 200 milionë lekë, do të investohen për vendosjen e ndriçuesve të rinj LED në pjesën e mbetur të fshatrave turistikë në njësitë administrative Voskop, Voskopojë dhe Lekas. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.