Kolonja, bashkia e parë që garanton furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm e me cilësi

TIRANË, 19 nëntor/ Bashkia e Kolonjës do të jetë bashkia e parë në nivel kombëtar, e cila do të garantojë furnizimin me 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi, jo vetëm për 2 zonat urbane Ersekë dhe Leskovik, por edhe për 6 njësitë administrative.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Menaxhimit të Mbetjeve (AKUM) Alqi Bllako deklaroi se projekti i sistemit të ri të instalimit të ujësjellësit që do të shtrihet në 14 fshatra të pozicionuar midis midis Ersekës dhe Kozelit.

“E lënë pas dore në shumë vite, Kolonja tashmë merr vëmendjen e duhur nga qeveria shqiptare për të mbuluar 100% të popullatës me këtë shërbim jetik”, tha Bllako.

Sipas tij, prej disa muajsh është garantuar shërbimi i pandërprerë për banorët e Ersekës.

“Përfundojmë në pak javë kantierin e ujit të Leskovikut dhe janë 4 kantiere të tjera që do të finalizojnë modernizimin e sistemeve të ujit për gjithë bashkinë”, u shpreh Bllako.

Blalko vuri në dukje se investimet kapitale qendrore synojnë jo vetëm të përmirësojnë cilësinë e jetës së banorëve, por edhe t’i japin hov turizmit si potencial i madh ekonomik për zhvillimin e qëndrueshëm. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.