“Halleqarësi i njerëzve që e presin me tekstin gati”/ Biznesmeni nga Lezha në takimin me Bashën, ish-kandidat për deputet i LSI

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video ku tregohet kreu i PD, Lulzim Basha së bashku me një biznesmen që ka qenë kandidat për deputet i LSI-së në qarkun Lezhë.

“Kreu i opozitës Lulzim Basha u shfaq sërish në rolin e halleqarësit të njerëzve që e presin me tekstin gati. Ai përsëriti se kur ai të jetë kryeministër do të marrë fund kjo krizë e thellë, ndërsa aktori i radhës përsëriti se çdo gjë ka marrë fund”, thuhet në videon e publikuar nga Rama.

“Vërtet krizë e thellë duket për këtë opozitë teatrale. Aq krizë sa nuk pamë ende një takim pa aktorë që nuk luajnë rolin e paracaktuar në dialogun me kryetarin”, theksohet në video.

“Ky zotëri që qan hallin me Bashën për falimentin ekonomik të sipërmarrjes shqiptare, është një aktor i huazuar nga skena e LSI-së. Ish-kandidati për LSI i qarkut Lezhë, Gjok Puna. Ai nuk hyri dot në parlament, por mesa duket priti ditën që të ngjitet në skenën e teatrit opozitar dhe ja ku dita erdhi, as më shumë e as më pak po në dialog me vetë Lulzim Bashën. Një dialog bindës për të siguruar një biletë në trenin e vjetër të opozitës së bashkuar. Rrugë të mbarë”, thuhet në videon e publikuar nga Kryeministri Rama.

Në takimin në fjalë, Basha shprehet se “kur ekonominë e ke në krizë, kur bizneset i ke në falimentim, pastaj sigurisht që nuk jep as ndihmë për njerëzit. Dhe i ka lënë edhe njerëzit në pikë të hallit”.

“Kam falimentuar. Letrat dhe tatimet vijnë, përditë paguaj tatime”, i thotë biznesmeni Bashës.

“Paguan tatime megjithëse nuk ke xhiro fare, s’ke punë fare?!”, ia kthen Basha.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.