Fondi i Sigurimeve, gati për zbatimin e menjëhershëm të rimbursimit të barnave antiCOVID

TIRANË, 19 nëntor/ ATSH/ Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të bërë të mundur zbatimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë për rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin e pacientëve të prekur nga COVID-19 në kushte ambulatore.

Albana Adhami, zv.drejtoreshë e FSDKSH-së deklaroi sot se është bërë njoftimi i të gjithë mjekëve të familjes në të gjithë vendin lidhur me mënyrën si do të veprojnë gjatë trajtimit të të prekurve me COVID-19.

“Paketa e rimbursuar përmban barna që janë aktualisht në rimbursimin, por edhe barna që nuk janë në këtë listë. Ato janë të destinuara për trajtimin e të sëmurëve për fazën ambulatore nga mjekët e familjes në fazën e lehtë e të moderuar, sepse për rastet e rënda pacientët do të referohen në spital”, tha Adhami në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren Ogerta Manastirliu.

Sipas saj, gjithë procedurat do të kryhen përmes komunikimit me mjekun e familjes.

“Është mjeku i familjes që do të bëjë vlerësimin klinik të pacientit dhe në varësi të simptomave ai rekomandon pacientin hap pas hapi për barnat dhe ekzaminimet, ku dhe kur do t’i kryejë ato”, shtoi Adhami.

Mjekët e familjes, vuri ajo në dukje, janë të orientuar përmes udhëzuesit të ministrisë për trajtimin sipas dy skemave të mjekimit. “Paketat e rimbursimit përmbajnë antikoagulantë, antibiotiko-terapi, vitamino-terapi, kortiko-terapi, por më duhet ta theksoj se mjeku i familjes, i cili mund të kontaktohet përmes linjës së gjelbër apo kontaktit direkt është ai që do të vendosë se cilët nga këto barna do të përfitojë pacienti”, theksoi Adhami.

Fondi, tha ajo, ka marrë masat për të përgatitur sistemet e informacionit, sistemet e recetës elektronike, atë të regjistrit elektronik, e-vizitën, e-referimin me qëllim që të bëhet trajtimi i secilit qytetar./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.