“Evidentim i referencave të hetimeve brenda Shqipërisë”/ Balla: Komisioni i posaçëm nuk ka qëllim të hetojë Lulzim Bashën

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se objekt i punës së komisionit të posaçëm të Kuvendit do të jetë marrja në evidencë e të gjitha referencave të raportit të Dick Marty-t të miratuar në rezolutën e 25 janarit 2011 për krime lufte, që përfshin Shqipërinë. Ky komision, deklaroi Balla gjatë një interviste televizive, ngrihet në bazë të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, pasi bëhet fjalë për ngritjen e një komisioni të posaçëm për çështje të një rëndësie të veçantë.
“Dua ta sqaroj se nuk bëhet fjalë për komision hetimor, citoj nenin 77 i Kushtetutës dhe 24 të rregullores së Kuvendit, por është komision i posaçëm për çështje të veçanta, pra merret në shqyrtim raporti i Dick Marty-t për çështjet që përfshijnë Shqipërinë, dhe ne duhet t’i verifikojmë. Që nga 1999 e deri më sot në vend janë kryer shumë hetime”, u shpreh Balla.
Ai vuri në dukje se edhe për uzinën në Kukës, institucioni i Prokurorisë së Kukësit ka bërë verifikime dhe ka rezultuar se nuk ka ndodhur asnjë krim në atë objekt atë kohë.
“Po pse tani? Do ta përjashtojmë fillimisht pretendimin se po ngrihet një komision për të hetuar Lulzim Bashën. Nuk është ky qëllimi ynë. Por nëse ai do të kontribuojë me ato që do le t’i nisë me postë dhe kasetën po të dojë që i ka marrë Bellanicës. Po për të gjitha faktet që nuk kanë ndodhur krime në Has e me radhë të mblidhen bashkë dhe të hartohet një raport, ku Shqipëria si vend anëtar i asamblesë së Këshillit të Europës, ta ketë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë është hetuar”, theksoi Balla.
Ai shpjegoi se “nuk ka një institucion tjetër në vend që mund ta bëjë një gjë të tillë”.
“Nuk është komision as anti Dick Marty as anti Lulzim Basha. Shqipëria tani duhet të merret seriozisht, sepse ajo që po ndodh është se ka filluar një fazë e re e deligjitimimit të luftës së Kosovës”, tha Balla. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.