Deklarata e Bashës për fshehje të vdekjeve nga COVID/ Rama: Kall ankth dhe dëshpërim tek njerëzit që diçka të ndezë

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj shifrave të publikuara sonte nga kreu i PD Lulzim Basha në lidhje me fatalitetet prej COVID.

Sipas të dhënave të publikuara nga Basha, autoritet kanë publikuar gjithsej për periudhën mars-tetor 2020, vetëm 509 raste fatale, ndërsa sipas tij realisht janë 923 viktima nga COVID-19.

Në një intervistë televizive, i pyetur në lidhje me publikimin e këtyre shifrave nga kreu i PD, Rama u shpreh se, “është pjesë e asaj që thashë, panik, konfuzion, shqetësim, mundësisht katastrofë”.

“Qeveria nuk deklaron asgjë. Numri i fataliteteve është një numër që pasqyrohet çdo ditë në bazë të kritereve që janë të lidhura me një element shumë të thjeshtë, të sëmurët nga COVID-i. Kaq. Të tjerat janë të gjitha spekulime. Nuk kanë asnjë bazë dhe hyjnë në atë të përditshmen, shpif e shpif që diçka të mbetet. Akuzo e akuzo që diçka të ngjisë. Dhe kall sa të mundesh ankthin dhe dëshpërimin tek njerëzit që diçka të ndezë. Ajo që po kërkojnë që të ndezë, qysh ditën e parë që kanë humbur, dhe akoma nuk kanë nxjerr mësime se pse kanë humbur. Dhe për këtë arsye do humbasin përsëri”, tha Rama.

Rama gjithashtu vlerësoi Urgjencën Kombëtare Mjekësore, duke thënë se, “përfytyroni sikur kjo flamë ta kishte gjetur Shqipërinë me shërbimin e autoambulancave që ne gjetëm, që ngelnin në rrugë dhe nxirrnin tym dhe që s’kishin brenda asgjë tjetër, përveç se një barrelë me tre këmbë.

Ndërkohë që sot, tha Rama, “shërbimi ynë i Urgjencës Kombëtare është një nga arsyet e përballimit me dinjitet të kësaj lufte”.

Rama u shpreh se “Urgjenca Kombëtare është e gjitha e kompjuterizuar, nuk është siç ishte atëherë, që e lajmëroje dhe vinte autoambulanca pasnesër”.

“Po të shohësh numrin e shërbimeve që ata kryejnë në kohë reale është marramendës. Dhe janë realisht heronj të gjithë ata që shërbejnë në Urgjencën Kombëtare”.

I pyetur në lidhje për ndalimet e tubimeve politike, Rama tha se, “ne nuk kemi ndaluar asgjë”.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili është vërtet Komitet Ekspertësh, nuk është Komitet politik, ka vendosur që në këtë fazë të ndalojë të gjitha grumbullimet mbi 10 persona, qoftë për arsye politike, qoftë për arsye biznesi, qoftë për çdo arsye tjetër. Dhe faktikisht ne duhet ta zbatojmë. Ne ishim në mes të një procesi ku kishim organizuar faktikisht një kalendar me 12 takime në 12 qarqe për platformën “Deputeti që duam” dhe do i ndërpresim”, u shpreh Rama.

I pyetur në lidhje me gjobitjen e Monika Kryemadhit për mosmbajtje maske, Rama tha se, “është Policia e Shtetit që ka detyrën të vërë gjoba”.

“Dhe Policia e Shtetit shqiptar ka meritën që ka disiplinuar në radhë të parë ministrat dhe deputetët e këtij shteti për herë të parë kur ne kemi ardhur në qeveri, sepse disa makina, eskorta ministrash kanë marrë gjoba. Jo pak deputetë kanë marrë gjoba. Dhe historia e parkimit të makinave para parlamentit që bllokonin gjithë Rrugën e Elbasanit praktikisht mbaroi. Dhe nëse gjobisim ministrat, deputetë, nuk shoh pse policia bëka një akt politik kur gjobiska Monika Kryemadhin apo Kastriot Islamin”, u shpreh Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.