Mesazhi shpirtëror i situatës COVID-19/ Spiropali: Si një familje

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali shpërndau sot një video mjaft domethënëse në lidhje me situatën të cilën po kalon vendi ynë dhe gjithë bota, prej pandemisë së COVID-19.

“Si një familje”, shprehet ministrja Spiropali teksa shpërndau videon ku thuhet se, “A nuk fshihet një mesazh i fortë shpirtëror pas gjithçkaje që ndodh?”

“A nuk po na kujton kjo luftë botërore që jemi të gjithë të barabartë, që kufijtë, pasuritë, dallimet mes vendeve e njerëzve mund t’i fshijë e padukshmja që e harrojmë në përditshmërinë tonë?” – shprehet ajo.

“A nuk po na kujton kjo sëkëlldi e pashoqe se pleqtë e paskan pasur mirë kur na kanë thënë shëndeti mbi të gjitha dhe se jeta qenka e shkurtër vërtetë, për të rendur duke u shtyrë me njëri-tjetrin?” – vijoi Spiropali.

“A nuk po na kujton kjo ëndërr me sy hapur, se sa shumë jemi zhytur në vorbullën e të përditshmes duke harruar shtëpinë e familjen? A nuk po na kujton kjo pengmarrje kolektive, se çfarë shije të veçantë ka vendi ku jemi lindur dhe jemi të lidhur nga fati si një familje?” – shprehet ajo.

“A nuk po na kujton kjo periudhë e pashoqe veçimi nga njëri-tjetri, se në fakt, njëri pa tjetrin nuk bën dot dhe sa më shumë të ndihmojmë të tjerët, aq më shumë e kemi ndihmuar edhe veten? Do të kalojë edhe kjo, nuk është fundi i botës që ka ardhur, po botës i ka ardhur një armik i padukshëm i njerëzimit dhe pas kësaj vuajtjeje vjen patjetër lehtësimi….

Le të urojmë që çfarë na kujtohet sot, të mos e harrojmë përsëri nesër…”, përfundon Spiropali. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.