COVID-19/ “Nuk kemi arritur akoma kulmin e valës së dytë”, Brataj: Në nëntor dhe dhjetor do kemi rritje të të infektuarve

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi gjatë një interviste televizive se rritja e numrit të të infektuarve gjatë këtyre ditëve pritej, pasi transmetimi komunitar në këtë fazë të pandemisë është i madh.

“Në këtë gjendje të pandemisë ku ndodhemi në kushtet kur transmetimi komunitar është kaq i madh këto shifra priteshin, shifra këto që transmetohen më tej në pacientë dhe në të shtruar në spital. Testimi tregon përhapjen e infeksionit dhe dihet shumë mirë që një përqindje e caktuar e këtyre të infektuarve shndërrohet në pacientë”, u shpreh Brataj.

I pyetur nëse e kemi arritur kulmin e valës së dytë të pandemisë, Brataj thekson se akoma jo, për shkak të numrave në rritje.

“Me këtë rritje akoma nuk kemi shkuar në kulmin e valës së dytë të pandemisë. Kulmi është kur nuk ka më rritje të numrave, por ka një zbritje. Kështu që përderisa numrat kuptohet që 1-2 muaj pas dëmit që është bërë do të vazhdojë kjo rritje e numrave. Besoj që nëntori dhe dhjetori do ketë përsëri rritje të të infektuarve”, tha Brataj. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.