TIRANË, 19 nëntor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se “autoritetet shtetërore kanë fshehur numrin real të viktimave nga COVID-19”.
Duke folur për pandeminë në Shqipëri, gjatë një interviste televizive, Basha tha se që nga marsi e deri tani janë 414 raste fatale që janë mbajtur të fshehura.
Sipas tij, për periudhën mars-tetor 2020 janë publikuar vetëm 509 raste fatale, ndërsa realisht janë 923 viktima nga COVID-19.
Po ashtu, Basha tha se “edhe në 17 ditët e para të muajit nëntor janë raportuar 128 viktima, ndërsa shifrat reale tregojnë se numri i vdekjeve gjatë këtyre ditëve është më shumë se dyfish, plot 315 vdekje”.
Sa i përket testimeve, kreu i PD tha se OBSH rekomandon 10 testime për çdo të infektuar, por me këtë standard, Shqipëria duhet të bënte të paktën trefishin e testimeve që bën sot. “Numri i ulët i testimeve është përgjegjësia e parë dhe kryesore e qeverisë në dështimin me pandeminë. Mungesa e testimeve ka sjellë daljen jashtë kontrolli të infeksionit”, tha ai.
/r.e/