TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se, “ndryshimi i fundit i ligjit të Gjendjes Civile me ndikim në zgjedhje, vetëm 5 muaj para zgjedhjeve, ndryshim me të cilin Qeveria heq sanksionet për mosdeklarim të vendbanimit, janë vetëm një përpjekje e radhës e Ramës që të legjitimojë shkeljet dhe kaosin e listave të zgjedhësve”.
“Çdo manipulim në regjistrat e Gjendjes Civile është manipulim i listave të zgjedhësve. Edi Rama po i kthen standardet e zgjedhjeve tek niveli skandaloz i viteve 2000-2003”, u shpreh Bylykbashi.
Por, tha ai, “këto manipulime të trasha po dalin mbi ujë, do të bllokohen dhe shkelësit e ligjit deri tek nëpunësit e Gjendjes Civile që falsifikojnë të dhënat do të përgjigjen”.
“Presidenti i Republikës ia ktheu mbrapsht këtë ligj me shkelje të standardeve të zgjedhjeve. Me shumë të drejtë ai ngriti alarmin për këtë përpjekje për manipulim të listave nga Qeveria. Por Edi Ramës nuk i shohin sytë kur afron humbja e zgjedhjeve. Kur ka frikë se humb ai përpiqet të shkatërrojë zgjedhjet. Pavarësisht tentativave të dëshpëruara, më 25 prill 2021 ai thjesht humb”, theksoi Bylykbashi. /r.e/